Brazil, Lula, post ministror në kabinetin e presidentes Rousseff

15/03/2016 10:40

Ish-presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva ka pranuar një post kyç në qeverinë e presidentes Dilma Rousseff.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, që citojnë burime qeveritare, caktimi i Lula në këtë post do të përforcojë administratën e presidentes, por ndërkohë do t’i ofrojë atij mbrojtje ligjore.

Kjo, pasi pak ditë më parë prokurorët brazilianë kërkuan arrestimin e tij për shkak të përfshirjes në një skemë të pastrimit të parave, për një vilë luksoze përballë detit.

Ish-presidenti, mjaft popullor për uljen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, ka mohuar çdo përfshirje të tij në një aferë të tillë dhe ka deklaruar se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

Burimet e sipërpërmendura shtojnë se presidentja Rousseff dhe Lula do të takohen më vonë gjatë së martës në kryeqytetin Brasilia, por deri tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar.

Lula e zgjodhi zonjën Rousseff si kandidate për ta pasuar atë në postin e tij në vitin 2010 dhe nga ana tjetër nuk e ka përjashtuar rikthimin e mundshëm të tij në 2018.

Nga ana e saj, Rousseff është përballur me thirrje në rritje për largim, si pasojë e skandalit të korrupsionit me kompaninë shtetërore të naftës Petrobras dhe reçesionin më negativ në historinë e Brazilit.

Top Channel