Pas dekriminalizimit, drejtësia; të hënën shqyrtohen rekomandimet e Venecias

05/03/2016 15:05

Partitë kryesore politike do të mblidhen të hënën pasdite për të vendosur sesi do të trajtojnë rekomandimet finale të Komisionit të Venecias. Mbledhja është e një formati të njohur, ajo e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.

Çfarë mbetet e panjohur është nëse palët do ta përdorin këtë mbledhje si një tryezë të dialogut politik për të arritur konsensus, siç kërkon opozita, apo do të vijohet me procedurën e ndjekur deri tani nga socialistët, që autorizojnë ekspertët për të shndërruar në amendamente rekomandimet e Venecias.

Problemet teknike që duhen zgjidhur nuk janë të pakta, por pika më e nxehtë që mban të ndarë socialistët, demokratët dhe LSI-në është shumica e cilësuar që do të përdoret në Parlament për të zgjedhur rreth 30 anëtarë të institucioneve të reja në gjyqësor dhe në prokurori.

Nga këta do të dalin pothuajse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një strukturë kyçe me rol vendimmarrës për njerëzit që do të drejtojnë qeverisjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Të enjten në Top Story, Fatmir Xhafaj konfirmoi përpjekjen për negociata. “Do të gënjeja po të thosha që nuk ka patur përpjekje”, deklaroi Xhafaj.

Top Channel ka mësuar se negociatat, e nxitura nga partnerët, bashkë me formulat përkatëse janë stopuar kur palët kanë marrë për të studiuar opsionin më të pranueshëm për kundërshtarin.

Këto formula janë të reflektuara përgjithësisht edhe tek rekomandimet 17 dhe 18 të Venecias, por deri tani nuk ka asnjë zgjidhje konsensuale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA