Donacioni i familjes Lamaj, përurohet shkolla në Domje

01/03/2016 00:00

Fëmijët e Domjes që ndjekin arsimin 9-vjeçar, do të kenë një godinë më vete ku do të zhvillojnë mësimin.

Familja Lamaj me kontributin e saj disa vjeçar ka bërë të mundur që këtë vit shkolla që mban emrin “Vajdin Lamaj”, ku mësim zhvillonin edhe gjimnazi edhe shkolla 9 -vjeçare, të ndahet me qëllim zhvillimin e procesit mësimor në kushte më të mira.

Më 1 Mars nxënës, drejtues të arsimit, pushtetit lokal dhe komuniteti përkujtuan 11-vjetorin e ndarjes nga jeta të Vajdin Lamajt dhe në nderim të familjarëve të tij që ende kontribuojnë për komunitetin në Domje.

E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Tiranes, Eglantina Metani.

“Sot përkujtojmë 11-vjetorin e ndarjes nga jeta të Vajdinit, prandaj dhimbjen ta shndërrojmë në mirënjohje për veprën e tij, dhe të shkojmë pas vizionit të tij për një të ardhme më të përparuar të gjeneratës së re”, tha Eglantina Metani.

Ceremonia festive në Domje, ashtu si çdo vit, u festua nga nxënësit e shkolles “Vajdin Lamaj” me recitime dhe numra artistik të përgatitur posaçërisht për këtë ditë.

Vajdin Lamaj i ndare nga jeta 11 vjet më parë zhvilloi një karrierë në radhët e forcave të policisë duke arritur edhe në pozicione drejtuese. Me pas drejtoi për disa vjet Federatën Shqiptare të Boksit dhe krahas kësaj, ka qënë edhe aksioner në radion më të madhe në Shqipëri, Top Albania Radio.

Top Channel