Clinton, e favorizuar për votimin e “super të martës”

01/03/2016 11:45

Nëse fiton “super të martën”, Hillary Clinton, thotë “Daily Telegraph”, e ka në xhep Shtëpinë e Bardhë. Një parashikim ca si shumë optimist dhe i guximshëm, por jo aq i pamundur për Rosa Price.

Autorja e shkrimit jep argumentet e saj në mbështetje të idesë se Amerika, me shumë gjasë, do të ketë edhe një tjetër “president Clinton”. Faktori vendimtar i disfatës në Nju Hempshër, sado e çuditshme që mund të tingëllojë, ishin gratë.

Edhe pse për të shmangur një skenar të tillë u bënë përpjekje të mëdha, siç ishte afrimi i aktivistes së të drejtave të grave Gloria Steinem, apo ish-sekretares tepër popullore të Shtetit Madeleine Albright, 55% e femrave votuan për Sandersin, përfshirë këtu 82% që janë nën 30 vjeç.

Apelet për ta votuar Hillary-n pikërisht për faktin se është grua prodhuan efektin e kundërt, duke shkaktuar deri dhe irritim tek ajo pjesë e zgjedhësve që nuk e sheh aspak të arsyeshme të votojnë një kandidat vetëm për shkak të gjinisë.

Në këtë mënyrë, kampi i alarmuar i Clinton doli me një plan shpëtimi i cili fshin çdo referim ndaj saj si personi i parë pa kromozomin Y, që duhet të jetë për këtë arsye, favorit për Shtëpinë e Bardhë.

Një ndryshim strategjie që u provua i suksesshëm në parapraket e Karolinës së Jugut të shtunën, e nëse sondazhet kanë të drejte, do t’i sjellë fitoren edhe sot.

Dhe njerëzit ndoshta nuk do të mendojnë më me frikë sesi pas 240 vitesh dhe 44 burrash, komandante e përgjithshme e forcave të armatosura do të jetë një femër, por thjesht do të ndihen të lehtësuar që demokratët e kanë një kandidate të fuqishme e cila mund të ndalojë vrullin e Donald Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA