Samiti i BE, kriza e refugjatëve dhe qëndrimi i Britanisë në Union

18/02/2016 23:05

Qëndrimi i Britanisë së Madhe në Union dhe zgjidhja europiane për krizën e refugjatëve janë dy çështjet kryesore, që diskutojnë krerët e shteteve, ose qeverive, të BE-së, gjatë samitit dyditor në Bruksel.

Ndryshe nga kryeministri britanik Cameron, krerët e dy institucioneve të tjera të BE-së, Juncker e Schulz, u shfaqën më optimist për arritjen e një marrëveshjeje.

David Cameron, Kryeministër i Britanisë së Madhe: “Do të jetë e vështirë, por një ditë pune e rëndësishme. Unë do të luftoj për Britaninë. Nëse mund të arrijmë një marrëveshje të mirë, do ta pranoj, por nuk do të pranoj një marrëveshje, që nuk plotëson ato çfarë kemi kërkuar”.

Jean Claude Juncker, President i KE: Kam besim se ne do të kemi një marrëveshje gjatë këtij Këshilli Europian. Ne duhet të zgjidhim një numër çështjesh dhe jam i bindur se Britania do të jetë një anëtare konstruktive e BE-së”.

Martin Schulz, President i PE:  “Së bashku, ne jemi më të fortë dhe ne do të punojmë me konstruktivitet për të siguruar se, ajo çfarë është pajtuar, është futur në fakt në formën legjislative të BE-së”.   

Mbi çështjen e refugjatëve, kreu i komisionit ishte më i prerë, duke kundërshtuar qëndrimin e vendeve të grupit “visegrad”, si Hungaria, Çekia, Polonia e Sllovakia, që kërkojnë mbylljen e kufijve,

“Si Komision, nuk na pëlqejnë kontrollet kombëtare të kufijve. Unë nuk e mbështes këtë tendencën e të paturit gjithnjë e më shumë kontrolle kufitare. Kjo po ndodh se nuk kemi një qasje europiane, të cilën unë e mbroj dhe për sa i takon Austrisë, unë nuk e  pëlqej këtë vendim, madje po e shqyrtojmë, nëse është, apo jo, në përputhje me legjislacionin e BE-së”, tha Jean Claude Juncker.

Ndërsa Komisioni insiston për shpërndarje të refugjatëve te të gjitha vendet anëtare, Austria ka rritur kontrollet në 13 pika kufitare me fqinjët e saj dhe ka caktuar kuotën ditore të pranimit për 3200 refugjatë dhe 80 azilkërkuesë në ditë, e jo më shumë se 37 500 refugjatë, në tërësi, përgjatë këtij viti.

BE dënoi sulmet e fundit terroriste në Turqi, të cilat detyruan kryeministrin Erdogan të anulonte pjesëmarrjen e tij në darkën e parashikuar nga kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, në vijim të bisedimeve me Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Holandën, Luksemburgun, Finlandën, Suedinë, Greqinë, Portugalinë, Austrinë, Slloveninë e Francën, për të marrë direkt refugjatë nga Turqia, duke u kursyer atyre vuajtjen e rrugëtimit përmes Ballkanit.

Përpara mbajtjes së Samitit, Presidenti i BE-së, Tusk, mblodhi shefat e shteteve, apo qeverive, të prekura të  korridorit ballkanik (Slloveni,Kroaci, Serbi, Maqedoni), të cilët u pajtuan për koordinimin e autoriteteve policore vendase, nëse situata ndryshon për shkak të  Austrisë, për valën e refugjatëve.

Pjesëmarrëse në samitin e rrugës ballkanike, tetorin e kaluar, Shqipëria shihet ende si një vend potencial për kalimin e refugjatëve, nga Greqia në Itali, ose dhe deri në Austri, përmes Malit  të Zi, Kroacisë, Bosnjës e Sllovenisë, ndërsa mendohet të ketë më pak gjasa kalimi i refugjatëve nga Shqipëria drejt Kosovës e më pas në Serbi ( duke mënjanuar Maqedoninë).

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel