Refugjatët, në Suedi u strehuan 163 mijë persona

18/02/2016 14:40

Suedia mori 163.000 azilkërkues vitin e kaluar, numri më i madh ky për kokë në të gjithë Evropën dhe dyfishi i rekordit të vendosur gjatë luftrave në Ballkan. Vendi i njohur për bujarinë dhe tolerancën i ka joshur refugjatët prej kohësh. Shumë i janë larguar varfërisë e konflikteve në Lindjen e Mesme, Afrikë e Azi me shpresën se shteti skandinav do t`i presë krahëhapur.

Realiteti megjithatë është krejt ndryshe, thote David Sim, në një artikull të gjatë për International Business News. Reporteri ka lëvizur në pjesë të ndryshme të vendit për të dokumentuar jetën e përditshme të këtyre njerëzve, të cilëve eksperienca u ka treguar se shteti suedez është i ngrohtë e mikpritës, por shoqëria suedeze me ta është shfaqur e ftohtë dhe përjashtuese.

Politikisht, suedezët mund të jenë liberalë, ama përballë një kulture tjetër, shpeshherë bëhen konservatorë. Janë konformistë, vëren Sim, shumë të rezervuar e me rregulla të rrepta sociale. Problemin, sipas ministres së Punës dhe Çështjeve të Integrimit, Ylva Johansson, e shumëfishon fakti që mijëra refugjatë, pjesa dërrmuese djem të rinj, nuk integrohen, nuk punojnë e thjesht rrinë dhe ankohen nëpër qendrat e tyre të azilit.

Shumica e suedezëve nuk janë racistë, këmbëngul Johansson, megjithatë ky mosintegrim po shkakton tensione e kjo është një situatë e rrezikshme, sepse kemi njerëz tashmë që praktikisht jetojnë jashtë shoqërisë.

Top Channel