Netanyahu urdhëron sulme të reja të fuqishme ndaj Hezbollahut, katër të vdekur në Liban Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kaloi në akuza të ashpra ndaj Sekretarit të Përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara, duke deklaruar pa doreza se Ban Ki-moon po nxit terrorizmin.
Shkak i zemërimit të shefit të ekzekutivit hebraik u bënë komentet e numrit një të OKB-së përpara Këshillit të Sigurimit, lidhur me pakënaqësinë gjithmonë në rritje të palestinezëve ndaj pushtimit izraelit.
Për popujt e shtypur, është brenda natyrës njerëzore të reagojnë ndaj okupatorit, deklaroi Ban Ki-moon. Kritika e tij nuk ishte e rastësishme. Ministria izraelite e Mbrojtjes aprovoi ndërtimin e 153 shtëpive për kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor.
Reagimi i ashpër i “Pallatit të qelqtë” erdhi pak orë pas vendimit të saj polemizues. Për të disatën herë, shefi i OKB-së kujtoi se aktivitetet e kolonizimit janë një dorashkë e hedhur në fytyrën e popullit palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar, edhe për faktin se me të tilla veprime, mundësia e dy shteteve që bashkëjetojnë krah njëra-tjetrës do të venitet përgjithmonë. Argumentet e tij, megjithatë, nuk e bindin Netanyahun.
“Pohimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së inkurajojnë terrorin. Dhe terrorin, nuk ka asgjë që e justifikon. Vrasësit palestinezë nuk duan të ndërtojnë një komb: ata duan të shkatërrojnë një komb dhe këtë e deklarojnë hapur. Nuk vrasin për paqen e nuk vrasin për të drejtat njerëzore”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.
Që nga muaji tetor, episodet e dhunës i kanë kushtuar jetën më shumë se 155 palestinezëve, 28 izraelitëve, një amerikani dhe një eritreasi. Sipas autoriteteve izraelite, pjesa dërrmuese e palestinezëve të vrarë kanë qenë agresorë, të tjerët kanë gjetur vdekjen gjatë përleshjeve të armatosura me forcat e sigurisë.
Top Channel