Maqedoni, Thaçi: 2015-a, vit i rëndë për shqiptarët; 2016-a vit i shpresës

28/12/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në konferencën e fundit për vitin 2015 tha se, shqiptarët e Maqedonisë po lënë pas një vit shumë të rëndë.

Kreu opozitar vlerëson se, këtë gjendje shqiptarët mund ta ndryshojnë në zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen në prill të vitit 2016, të cilin e quajti vit të shpresës.

“Viti i ardhshëm është viti i shpresës së madhe, besoj unë, dhe sidomos 24 prilli, kur ne shqiptarët, nën udhëheqjen e PDSH-së dhe përmes votës së lirë të garantuar nga SHBA-të dhe BE-ja, do t’i themi përfundimisht mjaft kësaj situate, këtij mjerimi, trishtimi dhe këtyre vuajtjeve”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Gjatë vitit 2015, sipas kreut të PDSH-së, përmes skandalit të përgjimeve u vërtetua se, në Maqedoni nuk funksionon shteti ligjor dhe nuk respektohen të drejtat e njeriut. Thaçi tha gjithashtu se, gjatë këtij viti është përballur me sulmet më të ulëta në karrierën e tij politike.

“Ky vit ka qenë viti i tërbimit kundër meje dhe kundër PDSH-së, sepse janë përdorur shumë shpifje, shumë tendenca të ulëta nga 99% e mediave kundër meje. Megjithatë, unë ju them se do të jem i palëkundur, do të eci dhe do të jem stoik drejt rrugës së realizimit të lirisë së vërtetë të shqiptarëve të Maqedonisë”, tha më tej Menduh Thaçi.

Udhëheqësi i PDSH-së, Menduh Thaçi uroi që në vitin 2016, shqiptarët të kenë më tepër shëndet, ndërsa gjërat e tjera – tha ai, – duhet t’i çojmë përpara bashkërisht.

Top Channel