Lëvizja Vetëvendosje ka ripërsëritur faktin se ai që e quan projekti i “Zajednicës” është rrëzuar dhe ndaj ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Kosovës, në të kundërt ata do të vazhdojnë me protesta deri në rrëzimin e saj.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi tha gjatë një konference për shtyp se kanë kaluar katër muaj që nga koha kur është nënshkruar marrëveshja e Asociacionit dhe gjatë gjithë kësaj kohe policia ka shtuar dhunën ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes me qëllimin e vetëm, shtypjen e zërit që kundërshton qeverinë.
“Por, ajo çfarë shohim tre ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është fakti se qeveria po reagon sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne sot i kujtojmë qeverisë që projekti i Zajednicës ka rënë dhe se qytetarët e Kosovës presin vetëm dorëheqjen e qeverisë”, tha Çaushi.
Ndërkohë, në një bashkëbisedim me qytetarët në Ferizaj, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se Kosova nuk mund të pranojë që në krye të saj të qëndrojnë njerëz që kanë shkelur Kushtetutën në 23 nene të saj. Ymeri tha se, Kosova po rrënohet pikërisht nga këta njerëz dhe nga dialogu me Serbinë.
“Nuk ka kuptim që në krye të shtetit të qëndrojnë njerëz që e shkelin shtetin. Kosova do të jetë sovrane vetëm nëse ndërpritet ky format i dialogut, ndërsa demokracia do t’i kthehet Kosovës vetëm kur shkelësit e Kushtetutës të largohen”, theksoi Ymeri.
Në këtë takim, Ymeri shoqërohej nga kryetari i degës së VV në Ferizaj, Emrush Xhemajli, i cili falenderoi qytetarët për përkrahjen që po i japin këtij subjekti, qoftë me pjesëmarrje në protesta apo me nënshkrimet për kundërshtimin e marrëveshjes me Serbinë, të cilën e identifikojnë si “Zajednica”.
Top Channel