Lufta e ftohtë, ja plani i SHBA-ve që shfaroste Europën

24/12/2015 00:00

Planet amerikane për luftë bërthamore në vitin 1959 përfshinin shkatërrim sistematik të qendrave urbane si Berlini lindor apo Moska dhe Pekini, me popullatën e tyre mes objektivave kryesorë ushtarakë.

Administratat Kombëtare e Arkivave publikoi një studim të hollësishëm të kryer në vitin 1956 që përfshin një listë të objektivave të SHBA-ve nëse do të shpërthente një luftë bërthamore mes superfuqive në tre vitet e ardhshme.

Studimi i Komandës Strategjike Ajrore ofron një këndvështrim të ri në planifikimin e luftës së ftohtë dhe tregon se si avionët amerikanë kishin detyrën që të shkaktonin shkatërrim masiv në luftë kundër Bashkimit Sovjetik. Lista u bë publike pas kërkesës së Uilliam Bur, një analist në universitetin “Xhorxh Uashtington”.

Kërkesa u bë në vitin 2006 dhe vetëm tani u miratua publikimi i planit të vjetër. Sipas analistit Bur, plani tregon qartë se strategjia amerikane për të përdorur bomba atomike rrezikonte edhe forcat apo popujt aleatë që do të gjendeshin nën rrezatimin vdekjeprurës.

Për më tepër, plani që parashikonte shkatërrimin e zonave urbane dhe industriale kishte si objektiv të qartë popullatën e të gjitha qyteteve në objektiv si Pekini, Moska, Leningradi, Berlini lindor dhe Varshava. Qëllimi kryesor i planit amerikan ishte eleminimi i fuqisë ajrore sovjetike, për të ndaluar Moskën që të lëshonte armët e saj bërthamore, pasi në atë kohë nuk ekzistonin raketat me rreze të gjatë veprimi apo nëndetëstet bërthamore.

Në plan kërkohej përdorimi i bombave atomike 8 herë më të fuqishme se ajo që shkatërroi Hiroshimën në Luftën e Dytë Botërore. Madje kërkohej edhe ndërtimi i bombave bërthamore me fuqi 60 megaton, ose 70 herë më të fuqishme se ajo e Hiroshimës.

Top Channel