Spanjë, diskutime për koalicion mes Rajoyt dhe socialistit Sanchez

23/12/2015 00:00

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy u takua me kreun e socialistëve, Pedro Sanchez, për të diskutuar mbi mundësitë e krijimit të një koalicioni qeverisës.

Partia liberale “Ciudadanos”, apo “Qytetarët”, e cila u rendit e katërta në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, tani kërkon një pakt me ta. Marrëveshja, sipas kreut të kësaj lëvizjeje, Albert Rivera, do të lërë jashtë “Podemos”-in e krahut të majtë, me argumentin se forca politike e Pablo Iglesiasit kërkon ndarjen e vendit.

Në ndryshim nga të tjerët, “Podemos”-i ka dalë hapur në mbështetje të thirrjeve nacionaliste katalanase për referendumin e shkëputjes nga Spanja.

Javët në vazhdim kanë për të qenë mjaft të ngarkuara dhe negociatat e krijimit të qeverisë tepër të vështira, pasi zgjedhjet e përpara 3 ditëve e lanë vendin politikisht të fragmentuar.

“Qytetarët” dhe “Podemos” korrën mjaftueshëm sukses, sa për t’i zhveshur dy partitë tradicionale nga hegjemonia e pushtetit. Konservatorët e Rajoyt, edhe pse u radhitën të parët me 123 vende në Parlament, nuk iu afruan dot minimumit të 176 vendeve të nevojitura për të qeverisur të vetëm.

Për dekada me radhë, Partia Popullore dhe socialistët e kanë alternuar mes tyre drejtimin e kombit. Por partia e Sanchezit, këtë radhë pati rezultatin më të keq në historinë e vonshme të saj, duke mos siguruar dot më shumë se 90 vende. “Podemos” mori 69, “Qytetarët” 40.

Edhe për konservatorët vet, kjo ishte perfomanca më e dobët elektorale që prej 1989-s. Rajoy këmbëngul se çdo partner koalicioni duhet të angazhohet maksimalisht për unitetin e vendit, teksa shfaqet si kundërshtar i palëkundur i çdo përpjekjeje për pavarësinë e Katalunjës.

Top Channel