Kenia, myslimanët mbrojnë të krishterët

22/12/2015 00:00

Strategjia e tyre e frikës dhe terrorit është e njëjta: Ndërmerr një sulm, veço të krishterët, bëji shoshë me plumba. Por në pritën e fundit, të hënën, kur i zunë rrugën një autobusi të mbushur plot me njerëz, militantëve të Al-Shababit gjërat nuk i shkuan sipas planit.

Një grup myslimanësh u hodhën t’i mbronin pasagjerët e krishterë me trupat e tyre duke u kthyer në mburoja njerëzore. Sulmuesve iu thanë se ishin të përgatitur të vdisnin së bashku.

“Ose na vrisni këtu të gjithëve, ose na lini të qetë”, ishin fjalët e pasagjerëve myslimanë, pjesa më e madhe gra. Autobusi udhëtonte drejt qytetit të Manderas, pranë kufirit që vendi ndan me Somalinë dhe Etiopinë.

Aq i mbarsur me rreziqe është një rrugëtim i tillë sa pjesa më e madhe e autobusëve udhëtojnë zakonisht të shoqëruar nga eskorta policore. Këtë herë megjithatë, nuk ndodhi kështu për shkak se makina e policisë ishte prishur e autobusit i është dashur ta vazhdojë rrugën i vetëm.

Sulmi i miliantëve islamikë erdhi pas disa orësh. Al-Shababi, grupi somalez i renditur nga Shtetet e Bashkuara në listën e organizatave të huaja terroriste, kërkon kthimin e Somalisë në një Shtet Islamik fondamentalist. Por ai ka ndërmarrë një seri goditjesh në Kenia, i nxitur nga fakti që në vitin 2011, forcat ushtarake keniane u dërguan në Somali për të luftuar ekstremistët.

Qëllimi i grupit është i qartë, të mbjellë faren e përçarjes në rajonet kufitare mes dy vendeve, ku pjesa dërrmuese e banorëve janë somalezë etnikë.

Një ndër aktet më brutale të Al-Shababit ishte masakra e muajit prill në Universitetin e Garissas, ku u vranë gati 150 vetë. Dëshmitarë okularë rrëfyen atëherë sesi agresorët iu kërkuan studentëve të recitonin vargje nga Kurani. Ai që nuk dinte t’i thoshte, ekzekutohej në vend.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta