Të paktën 5 persona janë arrestuar në dy operacione të forcave speciale belge, njëri mbrëmjen e së dielës dhe tjetri në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Blicet janë ekzekutuar në disa shtëpi në Bruksel në kuadër të hetimeve mbi sulmet e 13 nëntorit në Paris, që u morën jetën 130 personave.
Nga raportimet e mediave ndërkombëtare mësohet se policia ka bastisur edhe një ndërtesë pranë lagjes luksoze të kryeqytetit belg, Dansaert.
Por disa orë pas arrestimit, pas analizimit të të dhënave paraprake, hetuesit i kanë lënë të lirë të gjithë të dyshuarit për mungesë provash.
Lajmi vjen pak ditë pasi në media bëri jehonë se si i dyshuari kryesor për sulmet në Francë, Salah Abdeslam, i shpëtoi arrestimit për shkak të Kodit Penal belg.
Dy ditë pas sulmeve vdekjeprurëse në kryeqytetin francez, Abdeslam ishte lokalizuar në lagjen problematike Molenbek të Brukselit, por në kryeqendrën europiane ligji ndalon ndërhyrjet policore nga ora 23 deri në 5 të mëngjesit.
Rrjeti televiziv publik RTBF raportoi se Salah ishte poshtë hundës së policisë dhe arriti të shpëtonte i fshehur ndoshta në një mobilje, apo një kamion transporti të përdorur gjatë një shpërnguljeje në rrugen Delaunoy të Molenbekut.
Top Channel