“Shqipëria tjetër”, të jetosh pa asgjë

14/12/2015 00:00

Bilishti mbetet pas, ndërsa rruga dredhon si një busull e prishur. Asnjë tabelë nuk të tregon nga duhet të shkosh apo të marrësh për në fshatin Vernik, duhet të pyesësh për të mos përfunduar nuk dihet se ku i ngatërruar e i humbur. Janë 5 kilometra që sigurisht nuk e njohin asfaltin e që të drejtojnë për në fshatin kufitar.

Gjithmonë është konsideruar si fshati i emigrantëve sa kohe, sa kohë përpara liberalizimit të vizave shumë prej tyre kalonin këtu në mënyrë ilegale për në Greqi. Por, sot fshati Vernik po përcjell çdo ditë e më shumë banorët e tij që sigurisht e kanë të vështirë të jetojnë në këtë vend të harruar.

Fshati, po aq sa duket i mbledhur përmes shtëpive të gurta e të mëdha, po aq është edhe i shpërndarë. Kjo sepse dikur ka patur mëse 500 banorë, ndërsa sot ka diku 100.

“Çfarë të të them unë tashti, ky fshati ynë ka mbetur fare, fare kështu , fare në erë. Asgjë prej gjëjë këtu në fshat. Në mëshirë të zotit jemi kështu. As rrugë as ujë, as dru asgjë. Vetëm ca pleq që kanë mbetur këtu, ja siç na shikon neve edhe asgjë fare. Asgjë fare nuk ka këtu”, thotë Llazo Kamburi, banori i fshatit.

“5 mijë lekë ta paguash, ja 5 km rrugë është, do paguash 5 mijë lekë të vejë makina der atje. 5 mijë të të shpjerë edhe 5 mijë të të sjellë, 10 mijë lekë. Ne aq pension marrim”, thotë Mihallaqi.

Shtëpitë janë ngritur diku në vitet 1910 – 1920, e ato më të vonat diku në vitet 40, që atëherë kanë mbetur njësoj. Të restauruara mund të ketë tek tuk ndonjë, por thuajse 99 përqindeshi tjetër është njësoj si dikur.

Sigurisht fshati ka patur vatër kulture , e kish edhe një grup popullor që merrte pjesë në festivale, ka patur shkollë fillore me dy klasa, ka patur qendër shëndetësore… sot ato janë kthyer në rrënoja, aq sa është e vështirë të dallosh se çfarë kanë qenë më parë.

Verniku njihet që herët si i banuar nga një minoritet maqedonas, por kjo nuk do të thotë se ata duhet të lihen pa asnjë mbështetje, sikur jetojnë në një botë tjetër.

“Taksat na i marrin, atëherë urdhëro, jepi këtij populli këtij komuniteti që jeton këtu në këtë vend, në pikën me juglindore të Shqipërisë. Edhe ne kemi të drejtat tona edhe ne kemi të drejta si gjithë shqiptarët që jetojnë këtu. Përderisa jetojmë në këtë shtet edhe kemi të drejtat tona si shqiptarë që jemi”, shprehet Terpo Sinco.

Uji për të gatuar e për t’u larë merret përmes puseve, ndërsa për të pirë janë vetëm dy çezma për të gjithë fshatin. Edhe pse mund të duket e çuditshme, Verniku deri para viteve ‘90  ka patur ujë në çdo shtëpi, ndryshe nga sot, ku banorët vijnë me radhë për të mbushur  këtu, në këto vende të ndërtuara rreth viteve 1928.

“Kanë ardhur ato të komunës që kanë qenë, kanë bërë matje këtej, ka dy tre vjet, paratë i kanë marrë apo ç’kanë bërë. S’kanë bërë asgjë. Vetëm kanë matur edhe asgjë s’kanë bërë. Ca kanalizime që janë bërë, këto tubat që janë shtritë këtu, janë bërë që në kohën e Enver Hoxhës”, thotë Vasil Bello.
 
“As na e vërshëllen njeri fare, rrugët i patë juve si janë, vetëm në fshatin Vernik nuk është bërë rruga”, thotë Mihal Shkreko.

Sa shumë emigrantë i mbajnë çezma në këtë zonë. Këtu ndaleshin për të pirë ujë, e më pas tentonin të kalonin kufirin me Greqinë. Ky ishte vendi i fundit që preknin në krahun shqiptar. Më pas halli i bënte të përballeshin me rrezikun, nga i cili shumë ja dolën, por të tjerë edhe jo.

“Në kohën kur iknin emigrantët fshati ishte i populluar i gjithi, pasi mbaruan emigrantët filluam të emigrojmë edhe ne pastaj”, thotë Pandi Endriko, një banor i fashtit.

Dikur fshati ka patur shumë banorë, ka patur jetë, ka patur shumë të rinj, ndërsa sot kanë mbetur më së shumti pleq dhe shumë shtëpi të braktisura që duket sikur kërkojnë të flasin e të tregojnë për ato kohë të shkuara.
Fshati që dikur merrej me blegtori e ku veronin mëse 3 mijë krerë të imta, sot e ka të pamundur të mbahet edhe me këtë. Kjo, sepse të rinjtë mungojnë e të moshuarit nuk mund të hipin e zbresin maleve përreth. E kështu edhe me ato pak toka që ishin e që mbilleshin me grurë, duhan, misër e patate. Sot gjithçka dergjet e po ashtu dergjen edhe fatet e këtyre njerëzve.

“Po fshati, i riu i bën , unë tani s’vete në mal se po të jetë i riu, ai do bëjë edhe blegtori edhe të tëra gjërat”, shprehet Spiro Themelko.

Janë njerëz të butë e të mirë, që shpeshmi siç thonë nuk dinë se ku duhet të kërkojnë të drejtat e tyre. Një fshat i këndshëm edhe në mënyrën e ndërtimit që nuk ka se si mos të të ngjallë zhgënjim për mënyrën se si është katandisur.

“Vijnë vetëm marrin votën, do votojmë, kthehet populli i shkretë si ajo tufa me dhen, ku e shpie çobani. Urë andej, urë këndej. Do votojmë për socialistët, do votojmë asgjë, do votojmë për demokratët, asgjë. Tani mua më duket se këto janë njësoj, janë motër e vëlla. Pinë kafe bashkë. Dalin në Parlament zihen sa për sy e faqe që të thotë populli: ja kushedi çfarë bëjnë. Asgjë nuk bëjnë. Për veten e tyre ato janë ekstra, kurse populli është fushë”, thotë Jordana Nikolovska.

Verniku është një fshat i përhumbur, një zonë që po shuhet ngadalë…që dikur përcillte emigrantët, ndërsa sot po përcjell vetveten…

Top Channel