Tjetër shofer i dehur në timon, Policia e Elbasanit arreston drejtuesin e mjetit që transportonte fëmijët në shkollë

05/05/2026 18:50

Dy ditë pas ngjarjes tragjike të Durrësit ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë, policia e Elbasanit ndalon shoferin e dehur i cili me mjetin e tij transportonte 13 nxënës.

Ngjarja u bë e ditur pas një telefonate qytetari në sallën operative të Cërrikut. Patrulla e Postës Belsh ndërhyri menjëherë dhe ndaloi mjetin në lëvizje Belsh-Gjolene.

Pas kryerjes së testit të alkoolit me dy prova, rezultati ishte, prova e parë: 0.68 mg/l dhe prova e dytë: 0.67 mg/l.

Shoferi u shoqërua në Drejtori Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme. Policia siguroi që nxënësit të transportoheshin në mënyrë të sigurt me një mjet tjetër të transportit publik.

Edhe pse ngjarja e rëndë e Durrësit tronditi Shqipërinë, asnjë ndërgjegjësim publik nuk ka pasur tek drejtuesit e mjeteve të cilët edhe pse transportojnë fëmijë, drejtojnë mjetin në gjendje të dehur

Top Channel