Gaz lotsjellës në Kuvend, ndërpritet seanca. Arrestohen dy deputetë të VV

14/12/2015 00:00

Deputetët e opozitës në Kosovë kanë bllokuar sërish punën e Kuvendit, duke hapur dy kapsolla me gaz lotsjellës, të cilat mbushën me tym sallën e seancave plenare. Madje, këtë të hënë është ndërprerë edhe një ndër mbledhjet e Kryesisë, për shkak të gazit të hedhur nga depuetja e Vetevendosjes, Aida Dërguti.

Mbledhja, ku u mor vendimi për pezullimin e shumicës së deputetëve të opozitës, u zhvillua pas ndërprerjes së seancës, e cila kishte nisur me ftesën e kryeparlarlamentarit, Kadri Veseli, për krerët opozitarë, që t’i shprehnin në sallë kërkesat e tyre. Por ata nuk pranuan kurrfarë komunikimi, ndërsa kësaj radhe, gaz lotsjellësit u ndezën nga deputetët Glauk Konjufca, i Vetëvendosjes, dhe Pal Lekaj, i AAK-së.

“Mos kështu, pushim. Largohuni për pushim. Ju lutem deputetëve të largohen nga salla derisa të pastrohet ambienti. Pushum, por përsëri po e vetëpërjashtoni veten, sërish po e vetinkriminoni veten. Kjo është e panevojshme”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Gazi sërish ka detyuar kryetarin të ndërpresë seancën dhe të thërrasë një mbledhje kryesie, ku u vendos përjashtimi nga seanca i pjesës më të madhe të deputetëve të opozitës. Dhe kjo mbledhje po ashtu u mbyll me hedhje gazi lotësjellës nga deputetja e VV Aida Dërguti.

Seanca rifilloi gjatë pasdites në sallën alternative, ku u miratua me votat  e shumicës buxheti i vitit 2016. Pas kësaj, vetë kryetari Kadri Veseli doli dhe futi në sallë deputetet e opozitës që nuk ishin të përjashtuara, e të cilat u ankuan se sigurimi nuk po i lejonte të futeshin në sallën alternative. Mjaftuan pak sekonda të pranisë së tyre në sallë dhe deputetja e VV, Besa Baftiu  hodhi gazin duke ndërprerë edhe këtë seancë.

Në seancën e së premtes ishin të pranishëm edhe dy deputetët e Vetëvendosjes, Fisnik Ismajli dhe Faton Topalli, edhe pse ata duhet të ishin në “arrest shtëpiak” me vendim gjykate. Por Ismajli dhe Topalli thanë se, morën pjesë në seancë, pasi këtë e kanë detyrim kushtetues ndaj votuesve të tyre.

Veprimet e deputetëve të opozitës u dënuan sërish nga ambasadori amerikan në Kosovë, por ata që hodhën gaz lotsjellës thanë se, do ta bëjnë sërish të njëjtën gjë.

“Ishte zhgënjyese të shihje përsëri disa nga deputetët të hedhin gaz në Kuvend. Është zhgënjyese, pasi – siç e dimë, – Kuvendi do të duhej të miratonte buxhetin e shtetit për vitin 2016 dhe disa pika të tjera të rendit të ditës, që janë të nevojshme për Kosovën. Dëshiroj t’u rikujtoj gjithsecilit se, shefi im, Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry qëndroi këtu rreth dy javë më parë dhe bëri thirrje, që të përpiqemi ta mbajmë dhunën jashtë Kuvendit. Është zhgënjyese, njerëzit nuk e kanë dëgjuar se çfarë tha ai. Po ashtu, nuk do të mund të kaloja pa vërejtur një apo dy deputetë në Kuvend sot, që janë nën masën e ‘arrestit shtëpiak’. Më shqetëson mua dhe shqetëson shumë njerëz në Kosovë, derisa shohin njerëz nga klasa politike, që nuk detyrohen të respektojnë ligjet, si çdo qytetar tjetër i Kosovës. Në fund dua të them diçka rreth rritjes së vazhdueshme të retorikës nacionaliste dhe ksenofobiste ditëve të fundit. Mendoj se Ballkani ka parë mjaft nga kjo dhe shpresoj se, më në fund do të ndalet”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA në Kosovë.

“Po sot isha personalisht njëri prej atyre që kam hedhur gazin lotsjellës, bashkë me disa deputetë të tjerë. Por, gjithmonë i qëndrojmë asaj se, ky është një veprim kolektiv i opozitës. Dhe ne, edhe njëherë themi që, gjithsesi ky duhet të konsiderohet një vendim politik i opozitës”, tha Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes.

“Aktiviteti i deputetëve të opozitës në Parlamentin e Kosovës e ka një objektiv: pamundësimin e realizimit të agjendës së qeverisë, e cila po tenton që në shkeljet e veta kushtetuese dhe veprimet e saj në kundërshtim me interesin e vendit, të marrë me vete edhe Parlamentin e Kosovës”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nisma për Kosovën”.

“Kemi gaz të mjaftueshëm sa herë që të ftohen seanca për t’u mbajtur”, tha Pal Lekaj, deputet i AAK-së.

Menjëherë pas ndërprerjes së seancës plenare, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë shkuar në takim te Presidentja, Atifete Jahjaga, për të diskutuar zhvillimet e fundit.

Gjatë kohës së zhvillimeve në Kuvend, para ndërtesës u mblodhën mbështetës të opozitës me thirrje kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel