Ryshfet për të zbutur dënimin, pranga ish-prokurorit të çështjes “Hajdari”

02/12/2015 15:40

Haxhi Giu, një ndër prokurorët që ka hetuar atë që është cilësuar si “dosja e shekullit“, vrasjen e deputetit Azem Hajdari, është arrestuar pasditen e së mërkurës në Tiranë nën akuzën e korrupsionit.

Kanë qenë efektivët e policisë së kryeqytetit, të cilët pasi kanë marrë urdhërin e lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë arrestuar Haxhi Giun, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Krujës.

Referuar njoftimeve zyrtare të Policisë së Tiranës dhe të Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se prokurori Haxhi Giu ka tentuar që në këmbim të 29 mijë eurove të ndryshojë klasifikimin e veprës penale për një të arrestuar për trafik droge.

Nga hetimet ka rezultuar se Giu është kontaktuar nga Aleks Shpori, i cili gjithashtu është arrestuar mesditën e së mërkurës. Ai ka kërkuar nga prokurori që të zbuste akuzën ndaj vellait të tij Paulin Shpori, i arrestuar dhe i akuzuar për “trafik lëndësh narkotike” në vitin 2014, së bashku me disa persona të tjerë.

Organi i akuzës në njoftimin e tij sqaron se dy personat janë takuar në një lokal në Tiranë dhe më pas në një pikë të këmbimit valutor, ku Aleks Shpori ka depozituar një shumë parash, si “garanci” për shërbimin që do t’i kryente prokurori.

Pas kësaj, bëhet e ditur, prokurori Giu i është dretjuar Prokurorisë së Përgjithshme me një shkresë, ku kërkonte që për të pandehurin Paulin Shpori të ndryshohej klasifikimi i veprës penale nga “trafik lëndësh narkotike” në “moskallëzim krimi”, pasi sipas tij, gjatë hetimit kishin dalë në dritë fakte të reja.

Por kjo kërkesë e tij u refuzua nga Prokuroria e Përgjithshme dhe në përfundim Paulin Shpori u dënua me 8 vite burg.

“Pas dhënies së vendimit, prokurori i çështjes takohet sërish me Aleks Shporin në të njëjtën pikë këmbimi valutor në Tiranë, ku i bën të ditur se, pavarësisht tentativave konkrete, nuk mund të bënte asgjë për të ndihmuar Paulinin. Ndërkohë, Aleks Shpori ka tërhequr nga pika e këmbimit valutor shumën që kishte lënë si “garanci” dhe është larguar pa e kryer “pagesën” ndaj prokurorit, për shkak se nuk u arrit të zbutej akuza për vëllanë e tij”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA