Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ligji hyn në fuqi në vitin 2027 “Përbindësha me probleme mendore”. Të tillë ishin për Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, autorët e sulmeve të së premtes në Paris. Përpara Ambasadës amerikane në kryeqytetin francez, ku ndodhet për bisedime me shefin e Elizesë, Francois Hollande, Kerry e quajti Francën “miken më të vjetër të Amerikës dhe aleaten e parë”, e shtoi se “e vetmja përgjigje për dhunën që tronditi vendin, duhet të jetë një ndjenjë e pakufijshme solidariteti”.
“Vëllezërit dhe motrat tuaja amerikane do të qëndrojnë krah për krah jush, ashtu siç kanë qëndruar historikisht. Sot, ne jemi të gjithë parizienë. Lufta kundër ISIS-it nuk është përplasje civilizimesh. Ata janë thjesht disa përbindësha psikopatë. Nuk ka asgjë të civilizuar te këta njerëz”, tha Kerry.
Pas komenteve të Kerryt, ndërtesa e Ambasadës u ndriçua me ngjyrat e flamurit francez; blu, të bardhë e të kuqe.
Sulmet e koordinuara të 4 ditëve më parë, që lanë 130 të vdekur e mbi 400 të plagosur, një pjesë e të cilëve rëndë, i kanë rimobilizuar shtetet perëndimore në fushatën e tyre kundër ISIS-it. Kryeministri britanik, David Cameron njoftoi miratimin e fondeve shtesë për forcat speciale të vendit, siç janë ato elite “SAS”.
Në një seancë të rrallë të përbashkët të të dy dhomave të Parlamentit francez, Hollande kërkoi zjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, e tha se me mijëra policë të rinj do të rekrutohen.
Mëngjesin e së hënës, forcat franceze të rendit ndërmorën mbi 160 operacione “blic” me në shënjester persona të dyshuar si militantë islamikë. 23 vetë u prangosën, 104 të tjerë janë vënë në arrest shtëpie, e me dhjetëra armë janë sekuestruar.
7 ishin sakaq të arrestuarit në Belgjikë përgjatë fundjavës. Dy prej tyre përballen zyrtarisht me akuzën e pjesëmarrjes në një sulm terrorist; 5 të tjerët më vonë u lanë të lirë, përfshirë Mohammed Abdeslam, vëllain e njërit prej atentatorëve, Brahim Abdeslam, të vrarë të premten, dhe 26-vjeçarit Salah Abdeslam, njeriut më të kërkuar sot nga policia franceze.
Hetuesit janë të përqëndruar gjithashtu edhe te belgu me origjinë marokene, Abdelhamid Abaoud, i lakuar gjithmonë e më shumë si arkitekti i sulmeve në Paris. 27-vjeçari banonte në lagjen Molenbeek të Brukselit, ashtu si dhe dy atentatorë të tjerë, ndërsa aktualisht duket të jetë në Siri, ku po ngjit shkallët e udhëheqësisë në radhët e Shtetit Islamik.
Top Channel