Menjëherë pas takimit me kryeministrin, kryeparlamentari Ilir Meta i është drejtuar hotelit “Rogner”, ku është takuar me numrin dy të Kuvendit, Shpëtim Idrizi nga PDIU.
Një praktikë kjo që Meta është duke e zbatuar sa herë ai takohet me aleatin Rama. Pas kafes 40-minutëshe Meta i është përgjigjur interesit të gazetarëve shkurt dhe me një batutë.
“Kemi dëgjuar një ekspoze të përfaqësuesve të qeverisë dhe kemi shkëmbyer disa mendime, kështu që jemi në vijimësi të këtij procesi, me dëshirën që projektbuxheti të paraqitet në Parlament. Të përmirësohet klima ndaj biznesit dhe marrëdhëniet me të, sikurse vazhdimi i formalizimit të ekonomisë. E rëndësishme është të hartojmë një buxhet sa më të mirë. Tani do takoj kushërirën time, se kam kohë pa e takuar”, tha Meta dhe ashtu bëri.
Ndërkohë, për herë të parë Shpëtim Idrizi bëri publik qëndrimin e PDIU-së në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal që rrisin ndëshkimet për bizneset e përfshira në evazion fiskal, kontrabandë dhe moslëshim të kuponit tatimor.
“Kemi shqetësimet tona sa i takon paketës fiskale. Ne jemi kundër burgosjes së biznesit, pasi është një akt i paprecedent. Sistemi shqiptar është deklarativ dhe barra e provës qëndron mbi administratën fiskale. PDIU nuk do t’i votojë këto ndryshime”, deklaroi Idrizi.
Top Channel