Kinë, politika e fëmijës së vetëm, ende në fuqi

02/11/2015 16:10

Autoritetet kineze vendosën t’i japin fund politikës së një fëmije për familje, por ligji i ri ende nuk ka hyrë në fuqi.

Ndryshimet e propozuara nga autoriteti më i lartë kinez i planifikimit familjar hyjnë në fuqi në muajin mars, por ka nga ata që nuk e kanë kuptuar këtë, ndaj Pekini është detyruar që të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për respektimin e rregullit aktual; një fëmijë për familje.
 
Në mediat dhe përmes kanaleve zyrtare shtetërore të informimit ka nisur një fushatë sqaruese mbi kohën e hyrjes në fuqi të ligjit të ri, duke shtuar se deri atëherë, lindja e fëmijës së dytë prej familjeve që kanë një fëmijë, cilësohet shkelje ligjore.

Qeveria kineze njoftoi të enjten e kaluar zbutjen e kontrollit të lindjeve, duke deklaruar se kjo nismë do të luftojë moshën në plakje të vendit, por edhe do t’i japë një shtysë tjetër ekonomisë vendase.

Politikat e fëmijës së vetëm në familjet kineze hyri në fuqi në vitin 1979 për të parandaluar rritjen e vrullshme të popullsisë së vendit dhe sipas përllogaritjeve nëse nuk do të kishte hyrë asnjëherë në fuqi një masë e tillë, Kina sot do të kishte të paktën 400 milionë banorë më shumë.

Top Channel