Takimi i Vjenës, kush mund ta drejtojë vendin pas largimti të Assad?

31/10/2015 12:20

I gjithë qëllimi i një nisme të tillë siç ishte ai i samitit të Vjenës, ka qënë ngushtimi i hendekut mes Shteteve të Bashkuara e aleatëve të tyre-mbështetës të rebelëve të moderuar në Siri dhe përkrahësve të mëdhenj të regjimit sirian: Rusisë e Iranit.

Për liderët botërorë, nëbisedimet e zgjidhjes së ngërcit sirian, të cilësuara si “historike” pati progres, megjithatë palët vazhdojnë të kenë dallime të mëdha kur vjen fjala tek fati i presidentit Bashar Al Assad.

Por cili është qëndrimi i lojtarëve kyç:
– Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në largimin e tij, i cili megjithatë nuk duhet të ndodhë domosdoshmërisht përpara fillimit të një procesi tranzicioni politik.

– Arabia Saudite mendon se Assadi duhet të largohet nga skena brenda një “kornize të caktuar kohore” dhe përpara zgjedhjeve për qeverinë e re.

– Turqia, duhet të ikë patjetër por në krye të vendit mund të qëndrojë edhe për një periudhë “simbolike” prej 6 muajsh.

– SNC- grupimi kundërshtar i liderit sirian, i përbërë nga vende perëndimore e të Gjirit Persik, është më i preri në këtë drejtim: Assadi jo vetëm duhet të largohet, por edhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë procesi politik me vend.

Rusia nga ana tjetër insiston që presidentin sirian të mos e detyrojnë të lërë postin. Sirianët sipas saj duhet të vendosin vetë përmes zgjedhjeve se kush duhet t`i qeverisë. Irani gjithashtu mendon se Assadi nuk duhet të largohet dhe se populli duhet të vendosë vetë për të ardhmen e tij politike.

Por nëse nuk do të jetë Assadi në pushtet, atëherë kush mund ta udhëheqë Sirinë? Sipas disa burimeve të brendshme, aktualisht po diskutohet se kujt prej drejtuesve të lartë të ekipit të Assadit do t`iu kërkohet largimi. Deri tani, janë 10 apo 15 figura të regjimit që mund të përjashtohen nga skena politike e vendit në të ardhmen.

Shpresat janë që liderë të rinj dhe shumë më të besueshëm të dalin nga radhët e opozitës për të zëvendësar drejtues që nuk gëzojnë më asnjë mbështetje brenda Sirisë dhe një listë kandidatësh të mundshëm, duket se është hartuar që tani. 

Top Channel