Dërgimi i specialeve, Uashingtoni: Nuk është ndryshim strategjie

30/10/2015 21:50

“Ky komb është i lodhur nga lufta. Përgjgjia ime është e thjeshtë: Unë nuk do të vë në rrezik jetët e amerikanëve në Siri. Unë nuk do të ndjek asnjë operacion tokësor si në Irak apo në Afghanistan. Këto do të jenë thjesht bombardime të shënjestruara me një objektiv të qartë: shkaterrimin e armëve kimike dhe rrënimin e pushtetit të Assad”.

Por, ndryshe nga kjo deklaratë e 2 viteve më parë, realiteti i sotëm është ndryshe nga ai që presidenti Barack Obama priste. Për herë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikes kanë vendosur të dërgojnë trupa ushtarake tokësore në Siri për të këshilluar dhe ndihmuar forcat rebele në luftën kundër Shtetit Islamik.

Vendosja e forcave operacionale është përshkallëzimi më i rëndësishëm deri me sot i fushatës ushtarake amerikane kundër ISIS. Por për Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhe, ndërhyrjet e reja nuk e ndryshojnë planin e tyre për Sirinë.

“Strategjia jonë në Siri nuk ka ndryshuar, pasi pjesë kryesore e planit tonë ushtarak atje është rritja e kapacitetit të focave lokale që të mundin ISIS. Presidenti vendosi që ta intensifikojë mbështetjen ndaj tyre duke ofruar një numer të vogël forcash speciale të cilat do të jenë në terren. Pra, ky është një intensifikim i strategjisë sonë dhe ne besojmë se forcat speciale do të ndihmojnë ne rritjen e kapacitetit të luftimeve kunder ISIS”, ka deklaruar Earnest.

Trupat do të ndihmojnë forcat lokale kurde dhe arabe për të zmbrapsur xhihadistët dhe do të vendosen në veri të Sirisë. Ato do të ndihmojnë edhe koordinimin e forcave tokësore lokale me koalicionin ajror të udhëhequr nga vetë SHBA.

Por përveç kësaj nisme, Uashingtoni do të rrisë forcen e tij ushtarake me vendosjen e avionëve luftarakë “A-10” dhe “F-15” në bazën ajrore Inçirlik të Turqisë.

Top Channel