Therepel, historia e kultivuesve të rrushit

05/10/2015 00:00

10 kilometra nga Skrapari gjendet fshati Therepel. Traditat e fshatarëve të zonës janë kryesisht rritja e bagëtive dhe bujqësia, kjo pasi natyra u ka faluar atyre një tokë të begatë, të përshtatshme për çdo bimë.

Granit dhe Donald Dervishi, babë e bir, e kanë të vështirë të heqin dorë, nga ajo që dinë të bëjnë më mirë vendasit, e që është kultivimi i rrushit dhe përgatitja e rakisë.

Ish-elektropompisti në ndërmarjen e ujërave të Skraparit, 17 vite më parë nisi t’i përkushtohej vjeljes së rrushit, së bashku me të birin, në atë kohë ende fëmijë…

Edhe pse ka vite që e bën këtë punë, procesi është bërë ritual i çdo fund shtatori, koha e përshtatshme e vjeljes.

Familja plotëson nevojat e saj me verë e raki, ndërsa tepricat i shet për të pasur disa parà mënjanë.

Kryefamiljari nuk mjaftohet që traditën t’ia trashëgojë vetëm djalit, por kërkon ta trashëgojë edhe te nipat e mbesat.

Nëse do të ketë mundësi, në të ardhmen Graniti do të zgjerojë sipërfaqen e vreshtit, për të ruajtur një traditë të bukur të Therepelit dhe, pse jo, të lehtësojë disi gjendjen ekonomike të familjes.

Top Channel