Kosova jashtë agjendës së KiE/ Anëtarësimi mungon në axhendë, kushti për qeverinë Kurti mbetet Asociacioni Po me 10 minuta pushim ishte ndërprerë edhe seanca parlamentare në qershor të vitit 2013, kur do të ratifikohej marrëveshja për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd, pjesë e së cilës ishte edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por, para dy vitesh, Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtonte e vetme këtë marrëveshje, përfshirë edhe Asociacionin. Ndërsa sot, lëvizjet politike që pasuan tentativat për një koalicion mes partive të opozitës, për të penguar qëndrimin e Thaçit në pushtet pas zgjedhjeve, duket se kanë prishur edhe llogaritë.
AAK, që pak vite më parë e votonte, sot iu është bashkuar forcave që kundërshtonin raportimin e Mustafës, pikërisht për një zhvillim që rrjedh nga kjo marrëveshje.
“Asociacioni do të jetë edhe më i pavarur, sesa është vetë Kosova”, kishte thënë Visar Ymeri, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, më 27 qershor të 2013-s, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjes.
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që gjatë kësaj të marte hodhën vezë në drejtim të kryeministrit, në atë kohë, ndonëse në opozitë, e mbështesnin dialogun Prishtinë-Beograd. Kjo, jo vetëm për faktin se AAK-ja kishte njeriun e saj brenda procesit, Blerim Shala në rolin e koordinatorit, por sepse në atë kohë u hodhën frytet e para të një bashkëpunimi mes PDK-së së Thaçit dhe AAK-së së Haradinajt, sidomos pas kthimit të tij nga Haga.
Në shkurt të vitit 2013, kur ishte zhvilluar raundi i 6 i dialogut mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç, të dy kryeministra në atë kohë ndërsa sot ministra të Jashtëm të vendeve respektive, që prodhoi edhe marrëveshjen e parë dhe më të rëndësishmen, Ramush Haradinaj jepte këtë vlerësim:
“Për takimin e djeshëm kemi pasur informacione për qëndrimet. Është me rëndësi, që Kosova e ka shprehur gatishmërinë për të gjetur zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve në vend, në kuadër të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të vendit”, shprehej Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, gjatë shkurtit të 2013-s.
“Me rastin e jetësimit të këtij ligji, sovraniteti do të shtrihet edhe në veri, duke përmbyllur kështu shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, e cila mundëson qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit tonë edhe në këtë pjesë”, tha atëherë Blerim Shala, ish-deputet i AAK-së, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjes.
“Nëse ne votojmë kundër, siç na thotë zemra, çfarë do të fitojë Kosova? E nëse ne fitojmë, siç na thotë mendja dhe bashkësia ndërkombëtare, çfarë do të humbasim në këmbim?”, pyeste në atë periudhë Arben Gashi, deputet i LDK-së, gjatë së njëjtës seancë.
E megjithë tensionet e krijuara, nga 101 deputetë sa ishin në sallë, 84 prej tyre e votuan marrëveshjen e parë Kosovë-Serbi dhe vetëm 4 prej tyre e kundërshtuan; njëri prej tyre abstenoi. Përmbysje të qëndrimeve politike, si këto, nuk janë të rralla në politikën kosovare, ku marrëdhëniet delikate me Serbinë janë sprova më e rëndë, me të cilën përballet çdo politikan.
Top Channel