Më në fund Bashkimi Europian vendosi të tregojë unitet për çështjen e refugjatëve. Krerët e unionit vunë në zbatim planin e Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, për të strehuar 120 mijë refugjatë nëpërmjet kuotave.
Pas shumë kontestimesh, Britania e Madhe do të hapë dyert e saj në katër vitet e ardhshme për 20 mijë refugjatë sirianë. Kryeministri David Cameron deklaroi se Qeveria britanike ka vendosur të ndihmojë ata refugjatë të cilët kanë më shumë nevojë. Cameron ka përzgjedhur të pranojë në Britani, refugjatët që ndodhen të strehuar nëpër kampe aty pranë, dhe jo ata që kanë kaluar Mesdheun për të arritur Europën.
Ndërsa Franca dhe Gjermania do të mirëpresin 55 mijë refugjatë në vetëm 2 vitet e ardhshme, Qeveria e Parisit dhe Bundestagu gjerman kanë marrë edhe peshën më të madhe të këtij eksodi.
Nga ana tjetër, Australia dhe Zelanda e Re, kanë ofruar ndihmën e tyre për të lehtësuar sadopak barrën e unionit për të strehuar refugjatë. Angela Merkel bëri thirrje të tjera qeverive që te bëhen pjesë e zgjidhjes, pasi rreth 45 mijë refugjatë kanë ngelur në pritje të një përgjigje se çdo të bëhet me fatin e tyre. Merkel tha se ndihej krenare për mënyrën sesi gjermanët mikpritën popullin sirian. Por, përpos vendosjes së kuotave për shpërndarjen e refugjatëve, shtetet anëtare të unionit po rishqyrtojnë politikat e antiterrorizmit, për të shuar konfliktin në Lindjen e Mesme.
I pari që mori iniciativën ishte Presidenti francez, Francois Hollande, i cili urdhëroi përgatitjet për fillimin e sulmeve ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri.
Nga sa pohoi vetë shefi i Elizesë, Franca do t’i nisë të martën fluturimit e zbulimit, që do të pasohen nga sulme kundër grupit të dhunshëm ekstremist. Por, ashtu si edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë përpara tij, Hollande e përjashtoi mundësinë e dislokimit të trupave tokësore.
Top Channel