Tërmeti me 32 të vdekur në Venezuelë, shteti verior i La Guaira shpallet zonë fatkeqësie

25/06/2026 09:38

Shteti bregdetar i La Guairas në Venezuelë është shpallur zonë fatkeqësie pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga tërmeti vdekjeprurës.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, e cilësoi situatën si “një tragjedi të vërtetë”, duke bërë të ditur se dhjetëra ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit po zhvillojnë operacione të vështira për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.

Sipas raportimeve, të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet pasi të përfshihen edhe të dhënat nga La Guaira, zona më e goditur nga fatkeqësia.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë ndërtesa të shembura, mes tyre edhe një pjesë e një hoteli 8-katësh, duke shtuar frikën për një numër më të lartë viktimash.

Rodriguez njoftoi se ekipe shpëtimi nga Shtetet e Bashkuara, Republika Dominikane, El Salvadori, Meksika dhe Katari do të mbërrijnë në Venezuelë për të ndihmuar në operacionet e emergjencës. Ndërkohë, Kina, Brazili dhe disa vende të Karaibeve kanë ofruar ndihmë humanitare.

“Duhet të veprojmë me unitet dhe qetësi. Së bashku do ta kapërcejmë këtë tragjedi”, deklaroi presidentja në detyrë.

Top Channel