Në planetin tonë janë 3 trilionë pemë

03/09/2015 00:00

Në planetin tonë, sipas një studimi të ri, janë mbi 3 trilionë pemë. Shifra është 8 herë më e madhe se vlerësimi i mëparshëm, që numëronte rreth 400 miliardë pemë.

Studimi është kryer nga Thomas Crowther nga Yale University dhe kolegët e tij, të cilët kombinuan një seri të dhënash të mbledhura nga vëzhgimet me fotot satelitore.

Grupi i studiuesve ka deklaruar për revistën “Nature” se shifra e re tregon se ekzistojnë rreth 420 pemë për çdo banor të planetit.

Shifra e re e konstatuar do të përbëjë tashmë një bazë solide për një reze të gjërë kërkimesh, përfshirë ato për florën, faunën por edhe klimën, pasi pemët luajnë një rol të rëndësishëm në asgjësimin e gazit të dioksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë.

Por doktor Crowther paralajmëroi se numri i madh në vetëvete nuk përbën ndonjë ndryshim.

Ai tha për BBC se, “Nuk është se ne kemi zbuluar një prani të re pemësh, as nivel të ri karboni. Ne thjesht po përshkruajmë sistemin pyjor global në shifra, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë dhe që shkencëtarët e politikëbërësit t’i përdorin”.

Top Channel