Moda e vjeshtës? Rikthimi i viteve ‘80

03/09/2015 00:00

Të gjitha dyqanet tashmë kanë hequr nga vitrinat veshjet dhe aksesorët e verës, duke i zëvendësuar me ato të stinës së vjeshtës. Kjo të bën të kuptosh që pushimet tashmë kanë mbaruar dhe ka ardhur koha e ndërrimit të garderobës, edhe pse temperaturat ende vijojnë të jenë të larta.

Për sezonin vjeshtë-dimër të këtij viti janë pesë tendenca që vijnë direkt nga pasarelat dhe që mund t’ju ndihmojnë të zgjidhni veshjet që ju duhen këtë stinë. Sigurisht, ndoshta mund të jenë shumë të shtrenjta, por na japin idenë e modës së këtij viti.

Pallto po, por super e gjatë
Nëse jeni gati të blini pallton kryesore të dimrit, përveç xhupit, këshilla është të shihni modelet që kanë një cilësi të lartë. Përsa i përket modës? Zgjidheni pallto shumë të gjatë, si ajo e Calvin Klein Collection, ose të paktën të kalojnë gjurin, si ajo e propozuar nga Zara.

Fantazia “sixhade”
Jo si ajo sixhadja e gjyshes, por kthehen modelet e kadifes. Kjo tregohet në veshjet e Tory Burch dhe Marques’Almeida, por nëse preferoni të kufizoheni vetëm në një veshje, mund të zgjidhni stilin cigan të Burberry Prorsum.

Peliçe
Konfirmohet edhe këtë vit se e preferuara e dimrit është peliçja, që vishet sapo vjen vala e parë e të ftohtit. Louis Vuitton propozon formën e shkurtër të peliçes në formë balerine, të kombinuar me lëkurë.

Rikthimi i viteve ‘80
Po, janë kthyer dhe ato vite. Pas dy stinësh të xhinseve, fundeve me bel dhe këpucëve të sheshta, ishte e paevitueshme që herët ose vonë stilistët t’u hiqnin pluhurin dhe sukseseve të dekadave të mëparshme. Këtë vit vijnë modelet e viteve ’80, me një version të përmirësuar. Për një mbrëmje të veçantë, mund të zgjidhni një veshje vezulluese të Vivienne Westwood.

Ndikimet e Lindjes
Për ata që adhurojnë kulturat e largëta për sezonin e ardhshëm ka një boom të manisë së Lindjes, siç tregojnë edhe pasarelat e Dries Van Noten dhe Valentinos. Nëse dëshironi diçka më të lehtë se një dragua, qëndisjet e arta të minifudnit të Marni do ju shkonin shumë.

Top Channel