U mbyll ky vit politik, një vit i rëndësishëm ku kanë kaluar reforma, siç ishte ajo më e fundit në arsim dhe ku janë hedhur piketat për një tjetër reformë të rëndësishme, atë në drejtësi, që do të përcaktojë nisjen e sezonit të ri të politikës menjëherë pas pushimeve të gushtit.
Viti politik ishte një vit elektoral. Zgjedhjet e 21 qershorit sollën risi, por edhe debate. PD, nën drejtimin e Lulzim Bashës, kaloi testin e parë elektoral ku rendit si forcë e dytë, ndërsa mes PS dhe LSI-së pas zgjedhjeve situata ka ndryshuar dhe ndoshta shtatori do të sjellë debate të reja sa u përket ndryshimeve të mundshme dhe të pritshme në qeveri.
Këto nuk ishin të vetmet tematika të trajtuara nga “Top Story” dhe gazetari Sokol Balla solli këtë të enjte momentet më kyçe të sezonit.
-Sezoni nisi me samitin e NATO-s në Uells dhe me deklaratën e Edi Ramës atje i cili tha se Erion Veliaj do të jetë në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale deri në fund të mandatit. Kjo deklaratë do të rrëzohej në muajin prill, kur Erion Veliaj do të konfirmohej edhe zyrtarisht kandidat për kryetar bashkie në Tiranë.
-Më pas erdhi vizita e Papës, një vizitë e jashtëzakonshme që solli vëmendjen e gjithë botës nga vendi ynë. Vetë kreu i Kishës Katolike vlerësoi harmoninë dhe tolerancën fetare, që u dëshmua edhe gjatë vizitës së tij, ku u prit nga të gjithë krerët e feve të tjera në vendin tonë.
-Kryeprokurori Adriatik Llalla do të deklaronte pikërisht nga studio e emisionit “Top Story” se prokuroria ka nën hetim një dosje për një ministër të kabinetit “Rama”. Deklarata ishte e fortë dhe më vonë, po në “Top Story” është komentuar nga kryeministri Rama, i cili tha se jo vetëm nuk do të pengojë, por inkurajon prokurorinë që të hetojë dhe prangosë çdo zyrtar apo ish-zyrtar i kapur në shkelje të ligjit.
-Në një tjetër takim ishte ambasadori Alexander Arvizu, i cili në fund të qëndrimit të tij në Tiranë do të jepte përshtypjen përfundimtare për politikën shqiptare. “Politika këtu është konsumuese, shumë konsumuese, diçka që të konsumon të tërin”, deklaronte Arvizu.
-2015 nisi me një tragjedi në Francë, me një sulm terrorist ndaj gjithë medias së lirë. Revistë satirike Charlie Hebdo dhe autorët e saj ishin objektivi i terroristëve. Edhe “Top Story” i kushtoi një emision kësaj ngjarje të rëndë, ku të pranishmit, përfaqësues të medias, komuniteteve fetare dhe gazetarë dënuan ashpër aktin.
-Po në janar pati një seri shpërthimesh, që më vonë u mësua se ishte një mesazh për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Shpërthimet pasuan një operacion në shkallë të gjerë të policisë kundër tritolit në gjithë vendin. Disa persona përfunduan në pranga, ndërkohë që së fundmi dosja hetimore është plotësuar me kapjen e të gjithë anëtarëve të të ashtuquajturës “bandë e tritolit”, që drejtohej nga Admir Tafili nga qelia.
-Tritoli pasoi nisjen, edhe pse jozyrtarisht, të fushatës elektorale nga partitë politike. Emrat e kandidatëve dhe kandidateve për bashkitë kryesore nisën të kristalizoheshin më shumë. Njëri, që fillimisht u pa si kandidat potencial i opozitës për Durrësin, ishte Agron Duka i PR-së. Duka u mbështet fort nga Mediu, por nuk u pranua nga Partia Demokratike dhe palët ranë dakort me kandidaturën e Grida Dumës.
-Taulant Balla u dha zë nga foltorja e Kuvendit ankesës dhe shqetësimeve të klerit fetar në Elbasan, ku akuzohej Presidenti i Republikës për marrjen e pronës në një kishë katolike. Kjo pasoi reagimin e Presidenti, i cili hodhi poshtë akuzat në “Top Story”.
-Më pas do të niste ajo që nuk është mbyllur ende, çështja “Doshi”. Deputeti socialist akuzon publikisht Ilir Metën për tentativë vrasjeje dhe kjo akuzë çoi në dyert e Prokurorisë për Krime të Rënda për të dëshmuar krerët më të lartë të shtetit.
-Niko Cvetan, njeriu që ka vënë pas hekurave “peshqit e mëdhenj” në Kroaci viziton Shqipërinë. Në intervistë, ai tregoi sesi e bëri këtë dhe pati edhe një këshillë për prokurorët shqiptarë.
-Në kampin e opozitës kandidati për Durrësin nuk është vendosur ende. Fatmir Mediu deklaroi për herë të parë në “Top Story” që, nëse PD nuk zgjedh Agron Dukën, apo një kandidat që do të mbështetet prej Dukës, atëherë PR mund të dalë e vetme në zgjedhje.
– Menjëherë pas Mediut, në emision ishte një tjetër opozitar i pakënaqur i asaj kohe, Nard Ndoka. Ndoka akuzoi Bashën për sjelljen e tij me aleatët dhe këtë e konfirmoi më vonë dhe bashkimi i partisë që ai drejton me koalicionin e zgjeruar të së majtës.
– Erion Veliaj dha në “Top Story” intervistën e parë pas shpalljes fitues në garën përballë rivalit të tij Halim Kosova në garën për bashkinë e Tiranës. Në intervistë Veliaj u zotua për punë, punë dhe vetëm punë.
Top Channel