Historitë që lënë pas minatorët e ndarë nga jeta

14/05/2015 00:00

Historitë e tyre janë thuajse identike; për nga mënyra sesi përfundojnë, për nga forca e dhimbjes dhe për nga trishtimi e varfëria, që lënë pas…

Janë historitë e minatorëve, të asaj kategorie punëtorësh, që dalin në mëngjes nga shtëpia, gjithmonë pa pasur me vete sigurinë se mund të kthehen sërish shëndoshë e mirë, pranë familjeve të tyre. Në qytetin e vogël verilindor të Bulqizës, histori të tilla fatkeqësisht ka shumë.

Një prej tyre është edhe ajo e Sadik Shytit, minatorit të nivelit të 14 të galerisë, i cili luftoi me vdekjen për më shumë se një vit. Ai u plagos rëndë drekën e 6 Qershorit 2013 dhe, pas disa muajve në koma, mbylli përgjithmonë sytë më 15 Qershor 2014.

Zaidja, e veja e tij, që nga ajo ditë ka plot momente të vështira.

“Sa të duash ka momente të vështira, çdo ditë. Edhe atë ditë që shkova në spitalin e Bulqizës kam thënë se buka e fëmijëve iku, por fëmijët duhet të vazhdojnë të rriten. Jeta e tij iku, ende shumë i ri. Pas 15 Qershorit jeta ime ka ndryshuar. Çdo ditë sheh vetëm rënie, aspak ngritje. Kryefamiljari i mungon gjithkujt, jo vetëm familjes. Fëmijët i la të vegjël. Ç’të bëjmë, kështu qenka jeta”, thotë Zaidja.

Dhimbja e Zaides nuk ka marrë fund me humbjen e të shoqit. Ajo është ende e lidhur me minierën.

“Po, kam edhe çunin. I vetmi djalë që ka shtëpia, punon në minierë. Kam frikë, por ç’të bëjmë, ku do hamë? S’ka punë tjetër, ose të dalësh të lypësh, ose të punosh duke u futur atje”, tregon më tej Zaidja.

E nëse përlotja e shoqëron gjatë gjithë kohës, kur flet për Sadikun, krenaria e saj del në sipërfaqe, kur e pyet nëse ka ndonjë apel për ndihmë.

“Unë tani kërkoj të dal nga gjendja që kam. Kush të ketë mundësi të më ndihmojë, le të ndihmojë me sa ka mundësi. Gjendja është shumë e vështirë”, shprehet ajo.

Margarita Peti është vetëm 28 vjeç, por ka mbi supe përgjegjësinë e rritjes krejt e vetme të dy fëmijëve të saj. Ajo humbi në minierë të shoqin, Shahinin, më 2 Gusht të 2013-s.

“Në atë moment mendova vetëm për fëmijët, mirë unë, por mi la fëmijët rrugëve. Me qira jetojmë, erdha duke qarë në shtëpi, por më pas s’kisha çfarë të bëja. Disa thonin që ishte shembur galeria, disa që kishte bërë një plasje minash si minator dhe nuk mundi të dilte”, thotë Margarita.

Sot, Margaritës i duhet të përballet me sfida të shumta financiare.

“U bënë dy vjet, s’po di si ta përballoj. Jeta është e vështirë. Me 10 mijë lekë në muaj që marr, 7 mijë pension dhe 3 mijë përkrahja. Pa punë është shumë e vështirë jeta”, shprehet Margarita.

Por, kush është ai, për të cilin Margarita është e shqetësuar?

“Është vëllai. E kam 22 vjeç por prej moshës 16-vjeçare ka nisur të punojë në minierë. Ka punuar edhe me burrin tim. I them të mos futet më, por s’ka ku të shkojë”, tregon Margarita.

Marenglenit 11 vjeç dhe Brikelës 9 vjeçe u mungon shumë i ati.

Përditshmëria e këtyre grave është e njëjta. Ndërsa vështirësitë, sa vijnë e shtohen. Por jeta e tyre vazhdon, paralelisht me dramën që “u preu krahët”.

Top Channel