Kosovë, rikthehet në Kuvend projektligji për Konfliktin e Interesit

08/05/2015 00:00

Pas ndërhyrjeve nga zyra e kryeministrit, qeveria e Kosovës e dërgoi sërish në Kuvend projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, dy ditë pasi e tërhoqi atë.

Ka qenë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili i arsyetoi ndryshimet e bëra, por duke folur vetëm në vija të trasha për rëndësinë e këtij ligji në luftimin e korrupsionit. Ai theksoi faktin se, ky ligj është pjesë e paketës ligjore për liberalizimin e vizave dhe duhet të votohet nga Kuvendi gjatë muajit Maj.

Burime pranë zyrës së kryeminsitrit thonë se, ndryshimet e bëra kanë të bëjnë me forcimin e masave për parandalimin e konfliktit të interesit.

“Ky ligj ka tri qëllime kryesore. Së pari, që të forcojë luftën kundër konfliktit të interesit; së dyti, që t’i plotësojë standardet europiane për liberalizimin e vizave dhe raportin e progresit që kërkohet; dhe e treta, besoj se të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm, që të jetë funksional në Republikën e Kosovës”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Në këtë mbledhje, qeveria e Kosovës miratoi strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit kundër trafikimit të njerëzve për vitet 2015-2019. Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni tha se strategjia ka për qëllim koordinimin e veprimeve parandaluese dhe luftës kundër trafikimit njerëzor, me qëllim zvogëlimin e rasteve të trafikimit në Kosovë, si dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për viktimat e trafikimit.

Top Channel