Prokuroria, rekurs në Gjykatën e Lartë pas vendimit të pafajësisë nga Apeli për Shpëtim Gjikën

03/05/2015 00:00

Prokuroria vijon hapat ligjorë për të vërtetuar akuzat e saj ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika. Pas vendimit të Shkallës së Parë që e shpalli të pafajshëm Gjikën dhe vendimit të Apelit pak javë më parë, që la në fuqi të njëjtin vendim, organi i akuzës i është drejtuar me një rekurs Gjykatës së Lartë ku kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rikthimin e çështjes për rishqyrtim nga një tjetër trupë gjykuese në Gjykatën e Apelit.

Në rekursin prej 40 faqesh, argumentohet se me ankimin për vendimin e pushimit të Shkallës së Parë, Prokuroria e kundërshtonte atë vendim, pasi nuk kishte të argumentuar pse disa prova ishin pranuar dhe përse disa të tjera ishin rrëzuar, gjë që është detyrim ligjor i gjykatës. Pikërisht, për këtë mungesë arsyetimi, Prokuroria e Apelit, ndër të tjera, kërkoi edhe shpalljen e pavlefshme të vendimit të Shkallës së Parë, pasi “cënon parimin e kontradiktorialitetit në proces gjyqësor”.

Por, Gjykata e Apelit, pas leximit të kërkesës, ka kërkuar edhe mendimin e palës tjetër dhe është tërhequr për vendim. Pas pak minutash është kthyer në seancë, duke u shprehur se mbi kërkesën e bërë nga Prokuroria “do të shprehej në vendimin përfundimtar”.

“Një disponim të tillë të Gjykatës së Apelit e konsiderojmë në kundërshtim me ligjin kushtetues dhe atë procedural-penal. Gjykata e faktit, siç është edhe Gjykata e Apelit, ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të disponojë me vendimmarrje të arsyetuar mbi kërkesat e palëve në proces, shprehje e cila nuk rezulton se duhet të bëhet me vendimin përfundimtar. Kjo gjë e bën vetë vendimin e Gjykatës së Apelit një vendim nul, pasi nuk ka ezauruar një ndër elementët më të rëndësishëm të një procesi, që është vendimmarrja mbi një kërkesë pavlefshmërie të bërë nga njëra palë në proces, duke i mohuar në thelb të drejtën e apelit një pale në proces”, thuhet në rekursin e organit të akuzës.

Prokuroria e akuzon kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën, se ka falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të Këshillit të Rregullimit të Territorit që i përkasin vitit 2010, në një kohë që këto leje nuk kishin qenë objekt i këtyre mbledhjeve.

Top Channel