Jeni obezë? Aktiviteti fizik nuk është zgjidhja…

23/04/2015 00:00

Aktiviteti fizik nuk është çelësi i luftës kundër obezitetit. Në fakt, sipas autorëve të studimit më të fundit mbi këtë temë, të publikuar nga “British Journal of Sports Medicine”, ai ka fare pak ndikim në zbehjen e fenomenit shqetësues.

Mjekët mendojnë se, vëmendja duhet përqëndruar më shumë tek ushqyerja jo e shëndetshme. Kjo është hera e parë, që ekspertët ndërkombëtarë rrëzojnë mitin e ushtrimeve fizike dhe ndikimit të tyre te mbipesha.

Lëvizja, sipas specialistëve, është e një rëndësie tepër kyçe në rastet e personave, që vuajnë nga sëmundje të zemrës apo diabeti, por impakti tek obezët është minimal. Zgjidhja për njerëzit mbipeshë duket se qëndron te sheqeri dhe karbohidratet.

Mjeku kardiolog londinez, Aseem Malhotra, një nga autorët e studimit, fajëson industrinë ushqimore për inkurajimin e bindjes, se ushtrimet fizike mund të balancojnë efektin e të ushqyerit të pashëndetshëm.

“Një person mbipeshë nuk do e zgjidhë problemin me stërvitje – këmbëngul Malhotra, – gjithë çfarë duhet të bëjë është të hajë më pak”. Sipas ekspertëve, më shumë sesa te llogaritja e kalorive, vëmendja duhet përqëndruar te burimi i tyre.

Kërkimet tregojnë se diabeti rritet shumë më tepër nga kaloritë e sheqerit, sesa ato të yndyrës. Dhe mesazhi, që iu dërgohet sot njerëzve se, “për sa kohë keni aktivitetin sportiv hani sa të doni”, sipas mjekëve në fjalë është i gabuar.

Top Channel