Bieber rrezikon burgun, nëse…

11/04/2015 00:00

Nëse ndonjë ditë vendos që të vizitojë Argjentinën, Justin Bieber duhet të bëjë llogaritë mirë.

Një gjykatë në Buenos Aires ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj këngëtarit kanadez në lidhje me një incident të ndodhur gjatë turit të tij në vendin e Amerikës Jugore, në vitin 2013.

Incidenti ka ndodhur në një klub nate në kryeqytetin argjentinas me protagonist këngëtarin dhe truprojen e tij dhe nga ana tjetër fotografin Diego Pesoa.

Ky i fundit ka akuzuar Bieber dhe një nga truprojat e tij për sulm fizik, teksa ai po përpiqej t’i bënte yllit një fotografi. Kjo dhe mosparaqijta e këngëtarit, as përmes një avokati në procesin gjyqësor që pasoi, u cilësuan të mjaftueshme prej gjykatësit Alberto Julio Banos për të urdhëruar “paraburgim të menjëhershëm të të akuzuarit”.

Urdhri është urdhër dhe ai jepet për t’u zbatuar, por problemi është që Bieber është mijëra kilometra larg, në brigjet kaliforniane duke marrë rreze dielli me Kendall Jenner, me të cilën sa vijnë e përforcohen zërat për një romancë.

Top Channel