Zayn Malik braktis “One Direction”

25/03/2015 00:00

Zayn Malik largohet nga grupi “One Direction” pas 5 vitesh. Këngëtari 22-vjeçar ka marrë një vendim të tillë për t’u larguar nga banda e famshme muzikore, duke lënë Niall Horan, Harry Styles, Liam Payne dhe Louis Tomlinson të vetëm në rrugën e tyre të përbashkët.

Zayn, përmes një deklarate të publikuar nga “MailOnline” pasditen e së mërkurës, bënte të ditur se “jeta ime me One Direction ka qenë përtej asaj që mund të kishte imagjinuar. Por, pas 5 vitesh, ndiej se ka ardhur koha për t’u larguar nga banda. Kërkoj falje ndaj fansave, nëse kam zhgënjyer ndokënd, por jam duke bërë pikërisht atë që mendoj se është e duhura”.

Këngëtarët e “The best song ever” do të regjistrojnë albumin e tyre të pestë në mungezë të Zaynit, ndërsa do të respektojnë datat e ardhshme të turit botëror të bandës.

“One Direction”, në një tjetër deklaratë të publikuar sërish në “MailOnline”, kanë reaguar duke u shprehur “tepër të mërzitur që Zayn është larguar, por e respektojmë vendimin e tij dhe i urojmë gjithë të mirat në të ardhmen. 5 vitet e fundit së bashku kanë qenë të jashtëzakonshme, kemi arritur shumë lart së bashku, ndaj dhe do të mbetemi gjithmonë miq. Ne, katër të mbeturit, do të vazhdojmë përpara, do të regjistrojmë albumin e ri dhe mezi presim të takohemi me fansat tanë në skenën e ardhshme të turit botëror”.

Ndërkohë, Simon Cowell, i cili ideoi krijimin e “One Direction” nga pesë artistët solo, të cilët ishin pjesëmarrës të “X Factor” të vitit 2010, falënderoi Zayn për angazhimet e tij me grupin muzikor.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel