Ja si ka degraduar Kopshti Zoologjik, dikur një prej zonave më të frekuentuara…

25/03/2015 00:00

Dikur ishte vendi ku fëmijët sidomos, por edhe të rriturit kalonin orë të zgjatura. Po sot, çfarë ndodh me Kopshtin Zoologjik?!

Pamja që ofron sot Kopshti Zoologjik është e trishtë. Ky vend mund të quhet gjithçka, përveç një parku, ku mund të kalosh kohën dhe prindërit t’u tregojnë fëmijëve disa nga kafshët e përrallave. Liqenet e dikurshëm janë kthyer në pellgje të pista, ferrat kanë mbytur gjithçka, aq sa shpesh është e vështirë të orientohesh.

Pas një gardhishteje të lodhur qëndron bualli, që pak ditë më parë goditi për vdekje një kalë. Videoja bëri xhiron nëpër rrjete sociale. Përtej gjithçkaje, askush nuk mundi të kuptonte sesi këto dy kafshë duhej të bashkëjetonin me njëri-tjetrin.

Por në Shqipërinë e çudirave edhe kjo mund të ndodhë, duke e kthyer këtë kopësht, nga një oaz i dikurshëm për qytetarët, në një kamp përqëndrimi për të torturuar kafshët.

Çudia nis që në kafazin e parë, ku ujku duket aq i lodhur, sa nuk i bën përshtypje bashkëjetesa me një pëllumb, një pamje e denjë për fabulat e La Fontenit. Më tej, pëllumbat duken të çoroditur me të ashtuquajturit gjela të detit dhe ata të egër. Ndërsa disa lepuj rrotullohen të lënë mes zhulit, në disa kafazë që duken si për zogj.

Pason një tjetër kafshë, që nuk duket nëse është ujk apo çakall, sepse asnjë tabelë nuk të tregon se çfarë je duke parë. Kafsha e lodhur vërtitet në një hapësirë, ku duket se nuk është vënë dorë, që nga koha e sistemit të shkuar. Kafazi i luanit e luaneshës është bosh, që kur ata i lanë shëndenë Koopshtit Zoologjik. Në një ambient të tillë, sigurisht e patën të vështirë të mbijetonin edhe “mbreti” e “mbretëresha” e kafshëve.

Edhe kafazi i dhelprës është bosh. Diku më tej një ari, që duket sikur po lengon në një kafaz gjysmë të shkatërruar. Rrënimi prej vitesh i këtij kopshti nuk ka lodhur vetëm kafshët, por edhe kafazet e tyre. Rrjeta të sajuara, të çara, të rëna mbi njëra-tjetrën, e mes tyre ariu i gjorë, që nuk dihet edhe për sa kohë do të mund t’i bëjë ballë këtyre kushteve.

Për të mbyllur turin e frikshëm… shqiponja, që nga maja e maleve duhet të qëndrojë në majë të hekurave.

Përtej polemikave, për mungesa fondesh e bllokime koncesioni, ajo që kuptohet me vështirësi është sesi pastrimi i ferrave, mirëmbajtja e liqeneve, rregullimet e vogla e pastrimet e kafazeve të kërkojnë kaq shume parà. Thjesht këto duan vetëm pak punë të përditshme, nga ata që paguhen për mirëmbajtjen.

Kjo është më e pakta që mund të ndodhë, për të mos folur për vizionin e drejtuesve të kopshtit, sesi kafshët e buta mund të mbijetojnë me grabitqarët në të njëjtin vend. Edhe pse të lodhura nga trajtimi në këtë kopësht, të uritura ato mund të hanë jo vetëm njëra-tjetrën, por të kërcënojnë edhe vizitorët.

Top Channel