Skuadra në krizë, sulmuesi mburret me supermakinën e tij

23/03/2015 00:00

Steven Fletcher, sulmuesi i Sunderland-it në kampionatin anglez, është kritikuar ashpër nga tifozët e skuadrës së tij pasi “online” qarkullon një foto ku futbollisti pozon me një makinë Lamborghini Aventador me një vlerë mbi 300 000 dollarë.

Për më tepër, në sfondin e fotos duket edhe një makinë Bentley me vlerë mbi 200 000 dollarë.

Fotoja e 27-vjeçarit skocez ka bërë që tifozët e skuadrës të acarohen shumë pasi nuk e kuptojnë si një lojtar mburret me pasurinë e tij në një kohë që ekipi po bie nga kategoria dhe vetë ai ka shënuar vetëm 4 gola gjatë këtij sezoni.

Gjithsesi, agjenti i futbollistit ka thënë se nuk ka qenë klienti i tij ai që e ka postuar foton “online”, por ia vuri fajin kompanisë që i shiti makinën e shtrenjtë.

“Nuk e postoi Steven, por kompania. Donin të bënin reklamë. Nuk e kuptoj se ku qëndron problemi dhe nuk e kuptoj acarimin e njerëzve”, tha agjenti i lojtarit skocez.

FOTO GALERI
1/1
Sulmuesi i Sunderland është kritikuar për këtë foto

Top Channel