Digitalb sjell një këngë me nota kuq e zi, e cila do të kthehet në himnin shoqërues të Kombëtares shqiptare, por jo vetëm.

Tashme tifozët do të quhen të gjithë “Kuq e Zi”. Bashkëpunimi i gjerë i tyre me stafin e Digitalb bëri të mundur realizimin e këtij videoklipi, i cili është xhiruar në 18 lokacione të ndryshme gjeografike të Shqiptarisë, nga Mitrovica në Sarandë.

Por duket se një moment kyç, si ‘droni’ me flamurin shqiptar i ngritur ne stadiumin e Beogradit, shërbeu si frymëzim për kolonën zanore të “Kuq e Zi je Ti”.

Për të dhënë më shumë detaje për këtë këngë, që do të shoqërojë Kombëtaren e Shqipërisë në të gjitha takimet, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Genc Gjineci, drejtori i Promocionit dhe i Post Produksionit në Digitalb.

Pandi Gjata: Në Digitalb, por edhe në rrjetet sociale dhe në Youtube po shikohet kënga e kombëtares së Shqipërisë. Së pari doja të dija si lindi ideja për të pasur një këngë për Kombëtaren e Shqipërisë?

Genc Gjineci: Më në fund jemi në nivelin që mund të themi “ia dolëm”, por gjithçka ka nisur shumë më herët, që kur Administratori i Përgjithshëm i Kompanisë Digitalb e prezantoi si një mendim dhe qëllim për ta bërë të mundur një gjë të tillë dhe pas rreth 2 muajsh diskutimi dhe shkëmbime mendimesh dhe për më tepër pas 1 muaji e gjysmë xhirimesh arritëm të nxjerrim këtë himn të ri, që i dedikohet jo vetëm Kombëtares shqiptare, por edhe gjithë Shqiptarisë që e ndjek këtë Kombëtares. Tani nuk do të quhen më tifozë, por të gjithë “njerëz kuq e zi”.  

Pandi Gjata: Kush ishin njerëzit që punuan për realizimin e kësaj kënge?

Genc Gjineci: Janë vërtet shumë. Gjithçka nisi pas idesë dhe më pas një bashkërendim vërtet për t’u falenderuar i të gjithë departamenteve të Digitalb, por edhe me bashkëpunimin e pakursyer të tifozëve “Kuq e Zi”, “Ballistët” në Tetovë dhe “Shvercerat” në Shkup. Të gjithë kanë qenë derëhapur dhe mikpritës, kur bëhet fjalë për një himn të ri Kuq e Zi.

Pandi Gjata: Pse duhet një këngë për Kombëtaren e Shqipërisë?

Genc Gjineci: Jemi në disa rrethana të caktuara ku historia jep indikacione në momente të caktuara. Ka qenë ky momenti për të risjellë në mendjen e të gjithëve këtë ribashkim, i cili realisht ekziston sepse e pamë në çdo vend që ne shkuam për të xhiruar. Janë 18 lokacione, duke filluar nga Mitrovica e deri në Sarandë dhe kudo ndjeheshim po njësoj, sepse flitet e njëjta gjuhë dhe janë të njëjtat zakone. Ky ishte momenti i duhur, për më tepër që është edhe ndeshja në datën 29 mars që ky videoklip e paraprin. Unë mendoj se ishte një thirrje e duhur në kohën e duhur për të rizgjuar atë shpirtin “Kuq e Zi”.

Pandi Gjata: Në videoklipin e këngës paraqiten trojet shqiptare, por duket se ka edhe pak “provokacja”…

Genc Gjineci: Lë vend për interpretime të ndryshme në njerëz të ndryshëm, por ne e kemi lexuar dhe trajtuar si një fakt të patjetërsueshëm. Ai ishte një moment që mund të ishte edhe pikënisja e të gjithë kësaj që ne po e servirim në këtë formë rreth një qëllimi dhe një flamuri.

Pandi Gjata: A do të jetë kolona zanore e të gjitha takimeve të Kombëtares kjo këngë?

Genc Gjineci:
Qëllimi është i tillë: Krijimi i një himni gjithëpërfshirës, jo vetëm për lojtarët e Kombëtares Shqiptare, por edhe për këdo prej ndjekësve, tifozëve dhe për cilindo nga shqiptarët. Në thelb klipi ka qenë i tillë, njerëz të ndryshëm nga qytetet të ndryshme të trevave shqiptare që japin mbështetjen e pakursyer për skuadrën e zëmrës “Kuq e Zi”.
 
Pandi Gjata: Besoj që keni marrë edhe reagimet e parë, në mënyrë të veçantë të tifozëve “Kuq e Zi”, të cilët në mënyrë të veçantë janë edhe protagonistë të klipit, por edhe ndjekësit më fanatik të kombëtares sonë, apo jo?

Genc Gjineci: Patjetër që po. Më vjen mirë që gjithsecili e ndjehet i përfaqësuar dhe gjithsecili e ka përqafuar në momentin e parë të transmetuar.

Top Channel