Cila është një femër e bukur?

18/03/2015 00:00

Versioni i femrës kockë e lekurë? Së shpejti mund të jetë i ndaluar në pasarelat franceze. Një dorë e hekurt kështu mbi anoreksinë. Deputeti socialist,  njëkohësisht dhe mjek Olivier Veran, në kuadër të reformës për shëndetësinë ka paraqitur dy amendamente, të cilët kërkojnë të heqin nga pasarelat dobësinë e tepërt.

I pari kërkon që modelet të paraqesin një çertifikatë mjekësore ku të tregohet se raporti mes peshës dhe gjatësisë është mbi numrin 18. Pra nësë një modele është e gjatë 1.75, pesha e saj duhet të jetë të paktën 55 kg. Kush nuk zbaton këtë rregull do të dënohet me gjoba deri në 75 mijë euro, ose 6 muaj burgim. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat që kanë si indeks të masës trupore një numër poshtë 18-ës janë të kequshqyer.

Amendamenti i dytë i Veran propozon që të konsiderohet si faj i dënueshëm nga ligji promovimi i dobësisë së tepërt. Vetëm në Francë, sipas mediave të huaja, personat që vuajnë nga anoreksia janë nga 30-40 mijë.

Por në fakt në shumë vende të botës është rritur shqetësimi për gratë që preken nga kjo sëmundje për shkak të rregullave të diktuara të bukurisë, që kërkojnë femra të holla ne maksimum. Në “Youtube” po qarkullon një video që demonstron se si në mijëvjeçarë kanë ndryshuar përmasat e bukurisë femërore, që nga Egjipti e Greqia e lashtë e Dinastia Han në perendim të Kinës së sotme, te rilindja italiane, që promovonte rrumbullaksinë.

Kjo duket edhe tek “Lindja e Venerës” e Botticelli-t, një pikturë që konsiderohet si ikonë e rilindjes italiane dhe ideja perfekte e bukurisë femërore në art.

Më pas Anglia e periudhës viktoriane, me bel të hollë dhe më vonë bukuritë e dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të XX, të cilat nisin të ngjasojnë me format mashkullore.

Për të ndryshuar sërish në vitet ’50, me format e rrumbullakta. 10 vite më pas rikthehen trupat e thatë. Në vitet ’80 nis era e supermodeleve, me trupa të tonifikuar. Në ’90-en femra androgjene, ekstremisht e dobët dhe në ditët e sotme standardet i duan sërish të tilla, por me forma në vende të caktuara, gjë që ka çuar në rritjen e ndërhyrjeve kirurgjikale plastike.

Por përpos trendeve të momentit, ajo çka këshillohet fuqimisht është një trup i shëndetshëm…tek e fundit, bukuria nuk diktohet, ajo qëndron tek çfarë syri pëlqen!

Top Channel