Kur admiruesit nuk të lënë rehat…

26/02/2015 00:00

Fansat janë frymëzim për çdo artist. Sa më i madh numri i tyre, shpesh herë aq më shumë në vështirësi mund të jenë personazhët publikë. Janë të shumta rastet kur adhuruesit e tejkalojnë kufirin dhe kërkojnë diçka më shumë nga aktorët, këngëtarët apo të ashtuquajturit VIP-a.

Zef Deda e kujton me humor një rast, kur bashkëshortja e tij u xhelozua për shkak të puthjes që i ofruan disa fanse të tij.

“U xhelozua kur një tufë vajzash gjimnazi dolën nga trotuari tjetër deri te trotuari ku po kalonim ne, për të më dalë përballë dhe për të marrë autografë. Secila prej tyre, merrte autografin dhe nuk harronte të më puthte, ndërsa bashkëshortja ime qëndronte në pritje. Pasi mbaruam punë, mora atë dhe i thashë hajde ikim zemra ime. ‘Paske lënë nam këtu në Tiranë’, më tha. ‘S’të ka hije të ma bësh këtë punë mua, se je edhe i fejuar’. U ktheva dhe e pyeta se çfarë i kisha bërë. Më pas e sqarova se kishte një burrë artist, i cili dilte shpesh në skenë. Nëse femrat donin të më puthnin, e bënin sepse më donin fort si artist, jo si Zef, sepse nuk jam fort i bukur. Për të bukur më ke marrë ti”, tregon artisti i mirënjohur shkodran Zef Deda.

Ndërkohë Myfarete Laze, fansat e saj të shumtë i kujton gjithmonë për raportet e veçanta.

“Unë kam eksperienca të mira me ta, por shyqyr që jam paksa në moshë të pjekur, sepse ndonjëherë edhe mund të të rrehet mendja nga propozimet që të vijnë në Facebook. Ka gjithfarë gjërash të tilla. Në rastin tim, njerëzit dhe veçanërisht fansat e mi më njohin si Myfarete, si këngëtare, disa të tjerë më njohin sepse janë brezi im, disa prej prindërve. Disave u dukem pak si simpatike, sepse edhe fotografitë që nxjerr në Facebook janë pak të përpunuara, nuk janë origjinale (qesh). Ka shumë gjëra të bukura, por ka ndonjëherë edhe qejfmbetje. Në natyrë jo, por në Facebook çfarë s’më kanë dhuruar: dashuri, fjalë të bukura, komente, miqësi dhe shoqëri. Edhe dashuri po, por s’ka gjë sepse në moshën time nuk është e rrezikshme”, shprehet këngëtarja Myfarete Laze.

Bujar Qamili tregon se kafet dhe autografet janë më të shpeshtat që i kërkojnë, ndërkohë edhe shtëpinë nuk e ka ndërruar prej 20 vitesh, sepse ia kanë kërkuar fansat të qëndrojë aty.

“Edhe kjo bën pjesë te fansat, sepse në pallatin ku banoj mua më duan, më respektojnë, dhe jo vetëm. Edhe përreth, nëpër lagje, më duan. Madje disa herë më thonë ‘mos na ik’”, thotë një tjetër këngëtar i njohur shkodran, Bujar Qamili.

Top Channel