Fansat e sagës horror ‘Alien’ mund të festojnë. Neill Blomkamp, regjisori i ‘District 9’, do të nënshkruajë kontratë për të bërë një film të ri ‘Alien’. Lajmin e konfirmoi vetë 35-vjeçari në Instagram: “Pra, mendoj se zyrtarisht do të jetë filmi im i ardhshëm. #alien”.

20th Century Fox, kompania që zotëron të drejtat e sagës, nuk ka zyrtarizuar ende asgjë dhe nuk ka asnjë lajm për kastin e aktorëve. Gjithsesi, Sigourney Weaver, ylli i filmave të parë ‘Alien’, ka shprehur interes për të interpretuar sërish rolin e Ellen Ripley.

Në 10 shkurt, Blomkamp deklaronte për ‘Collide’ se saga ‘Alien’ është një nga të preferuarat e tij. “E kam në mendje historinë për një film të ri, por nuk kam folur me Fox-in”, tha regjisori.

Filmi i parë ‘Alien’ është shfaqur në vitin e largët 1979. Në të interpretonin Sigourney Weaver, Tom Skerrit, John Hurt dhe Harry Dean Stanton. Filmi i dytë ishte ai i vitit 1986. Të dy këta filma kanë fituar çmim Oscar për efektet më të mira vizuale. ‘Alien 3’ dhe ‘Alien Resurrection’ (1992 dhe 1997), nuk arritën kurrë suksesin e të parëve.

Më pas, saga u kombinua me filmat ‘Predator’: në vitin 2004 ‘Alien Vs. Predator’ dhe në vitin 2007 ‘Alien Vs. Predator: Requiem’.

Top Channel