I varur nga lojërat kompjuterike, i riu kinez pret dorën

03/02/2015 00:00

Në përpjekje për të hequr dorë nga varësia që kishte krijuar ndaj lojërave kompjuterike, një adoleshent kinez preu dorën e tij të majtë.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në provincën Jangsu. Sipas mediave kineze i riu para kryerjes së aktit ekstrem kishte lënë një shënim në krevatin e gjumit ku i drejtohej të ëmës.

“Nënë po shkoj për pak kohë në spital. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe në mbrëmje do të kthehem menjëherë”, lexohej aty.

Pas kësaj letre, adoleshenti kishte marrë një thikë në kuzhine dhe larg syve të kalimtarëve në një park të qytetit preu dorën e tij të majtë. Pas kësaj thërriti një taksi për ta shoqëruar në spital duke e lënë dorën e prerë në vendin e aktit.

Dora e prerë u gjet nga policia e cila pas marrjes së raportimit nga ana e mjekëve të spitalit e dorëzon atë menjëherë atje. Mjekët thanë se arritën ta ngjisnin sërish dorën, por nuk garantuan funksionimin e plotë të saj si më parë.

Kina numëron mbi 600 milion përdorues të internetit, nga të cilët rreth 25 milion janë të varur prej këtij fenomeni, kryesisht me lojërat. Për këtë në vend janë ngritur një sërë kampesh rehabilitimi që drejtohen nga ushtria.

Në përgjithësi, rritja e aksesit të internetit në vendet e Azisë Lindore ka rritur edhe shqetësimin për varësinë ndaj lojërave kompjuterike. Në Tajvan, Vietnam, Singapor, Japoni e të tjera shtete janë në fuqi ligje që gjobisin prindërit që lejojnë që fëmijët e tyre të krijojnë varësi nga lojërat kompjuterike.

Top Channel