Vogëlushja 4-vjeçare që shpëtoi nënën e saj

25/01/2015 00:00

Calise Manning është vetëm katër vjeç dhe sot në Amerikë të gjithë e quajnë “një heroinë” të vogël për shkak se falë saj, e ëma shtatzënë arriti t’i shpëtonte vdekjes.

Vajza i telefonoi shërbimit të emergjencave në Kalamazoo të Michiganit e kërkoi ndihmë. “Ajo po dridhet e po lind një bebe”, i tha 4-vjeçarja operatores së shërbimit. “Mamaja ime është vërtet shtatzënë, do lindë një djalë dhe ka shumë nevojë për ndihmë”.

Këto ishin fjalët e vogëlushes që vunë menjëherë në lëvizje punonjësit e ndihmës së shpejtë. Nëna e saj, Centerria Manning, ishte 9 muajshe shtatzënë dhe vuante nga epilepsia. Pikërisht një krizë e tillë e kishte rrëzuar në tokë, kur e gjeti e bija, me të cilën siç pohoi vetë më pas, kishte praktikuar se çfarë duhet të bënte në rast urgjence.

“Jam shumë krenare për të”, u shpreh Manning, pasi kaloi momentet e vështirësisë. “i kisha mësuar adresën e shtëpisë, emrin tim të plotë dhe si të formonte numrin 911 në telefon”.

Nëna u dërgua me shpejtësi në spital, ku solli në jetë një djalë të shëndetshëm. E veshur me një bluzë ku shkruhej: Unë jam motra e madhe, Calise i tha gazetarëve se ishte ndjerë shumë mirë që kishte udhëtuar bashkë me të ëmën në autoambulancë, ndërsa të gjithë lavdërojnë faktin që 4 vjeçarja arriti aq mirë të ruante qetësinë në një situatë të frikshme për çdo fëmijë.

Top Channel