Artistët shqiptarë në Londër

18/01/2015 00:00

“Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara”, kështu quhet ekspozita e artistëve shqiptarë Edi Hila dhe Adrian Paci, e cila pas suksesit në Bienalen e Venecias, është hapur në shkollën e arkitekturës “Architectural Association” (AA), në Londër.

Pjesëmarrës në hapjen e ekspozitës ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e quajti atë si një tjetër rast “për të rrëfyer përsëri, me fjalë e me vepra, Shqipërinë që ka nisur të njihet e shihet me sy tjetër”.

Për organizatorët ekspozita nuk përfaqëson thjesht një bashkëpunim të tashëm, por një urë për të ardhmen.

“Është shumë emocionuese që kemi këtë lidhje me Shqipërinë dhe gjithë këta artistë që kanë ardhur nga vendi juaj. Kjo ekspozitë ka udhëtuar që nga Bienalia deri këtu dhe përfaqëson një bashkëpunim, jo vetëm për tani, po edhe për të ardhmen, midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, si edhe mundësinë e këtyre instituteve për të transmetuar këtë energji dhe dinamizëm në një komunitet më të gjerë dhe në sa më shumë njerëz”, tha Abigail Batcheloris, drejtuese e “Architectural Association”.

Kuratorja shqiptare Jonida Turani jep këtë vlerësim për punimet e dy artistëve shqiptarë.

“Ekspozita u prit mjaft mirë, pati një prezencë të madhe të studentëve dhe profesorëve. Gjithashtu një interes të veçantë tregoi edhe shtypi i huaj për këtë ekspozitë”, shprehet Turani.

Top Channel