Kosovë, së shpejti pr/ligji për përgjimet

10/01/2015 00:00

Kosova shumë shpejt do ketë ligjin për përgjimin e telekomunikimeve i cili do t’u mundësojë autoriteteve përgjegjëse që të kenë të drejtë të përgjojnë çdo komunikim të qytetarëve, përfshirë thirrjet, mesazhet, komunikimet si me ‘skype’, ‘viber’, ‘whats up’ dhe të gjitha format e komunikimit.

Top Channel e ka parë draftin final të projektligjit, i cili në seancën e radhës do të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës si një ndër ligjet me prioritet për qeverinë, që bënë pjesë në pakon e ligjeve për liberalizimin e vizave.

Por në komisionin parlamentar përkatës thonë se ky projektligj duhet të ndryshojë për shkak se si i tillë u cënon shumë të drejta dhe privatësi qytetarëve, ndërkohë që krijon dhe paqartësi mes institucioneve që kanë të drejtë të autorizojnë përgjimet e caktuara.

Deputeti Armend Zemaj tha se do të kërkojnë që projektligji i sjellë nga qeveria të harmonizohet më mirë me Kushtetutën dhe Kodin Penal.

“Ne do të mbrojmë kushtetutshmërinë, pikë së pari sa i përket këtij ligji. Vërejtjet esenciale kanë qenë në aspektin e zvogëlimit të të drejtave të njeriut, por edhe në atë të fuqizimit të institucioneve, që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet. Përgjimet e paautorizuara janë shkelje e drejtave të njeriut dhe këtu, në këtë aspekt ne do të kemi kujdes të shtuar. Ne do të konsultojmë ekspertët e kësaj fushe, por edhe ligjet që e përfshijnë atë”, deklaroi Zemaj.

Neni 1.6 i projektligjit saktëson se “Objekt përgjimi” janë sinjalet, shkrimet, fotografitë, të dhënat audiovizuale ose lloj tjetër informacioni, për të marrë ose transmetuar nëpërmjet pajisjeve të komunikimit elektronik.

Ndërsa neni 6 thotë se, secili operator i rrjetit duhet që me shpenzimet e veta të sigurojë, instalojë, mirëmbajë dhe operojë qendrat teknike, pajisjet, ndërlidhjet dhe softuerin, me qëllim të zbatimit të përgjimit të komunikimeve elektronike.

Po ashtu, operatorët janë të detyruar të bëjnë të gjitha përgatitjet organizative me qëllim të mundësimit të përgjimeve të komunikimit elektronik, bazuar në kërkesën ligjore për përgjim nga një institucion i autorizuar.

Ligji për përgjigjimet po ashtu ka paraparë masa ndëshkuese ndaj operatorëve të telefonive të cilat shkojnë nga 86 mijë euro deri në 7 për qind të të ardhurave vjetore të kompanive në rast se ato nuk i përgjigjen urdhërit të institucioneve përgjegjëse për të përgjuar dikë që ata kërkojnë.

Po ashtu, përveç Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Inteligjencës, në Kosovë do të lejohen të përgjojnë edhe strukturat e sigurisë pranë misionit EULEX-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA