Ndërron jetë këngëtari Pino Daniele

05/01/2015 00:00

Më 19 mars të këtij viti do të festonte 60-vjetorin autori dhe këngëtari
i njohur Pino Daniele që ndërroi jetë gjatë natës i goditur nga një
infarkt.

Prej vitesh ai vuante nga zemra dhe këtë herë mjekët nuk arritën ta shpëtojnë. Në qytetin e Napolit flamurët janë në gjysmështizë dhe kryebashkiaku Luigi de Magistris ka bërë të ditur se dita e varrimit të këngëtarit e autorit do të shpallet ditë zie në qytet.

Lajmi ka shkaktuar dëshpërimin e napoletanëve që e konsideronin si simbolin e qytetit, ndërsa kolegët e tij vazhfdojnë të shprehin ngushëllimet dhe hidhërimin e tyre në rrjetet sociale.Pino Daniele është konsideruar gjithnjë si mishëruesi i muzikës napoletane dhe si artisti që krijoie bëri të njohur në botë muzikën ku ndërthureshin soul, rock dhe jazz me traditën muzikore të Napolit.

Ai ka bashkëpunuar me disa prej emrave më të njohur të skenës italiane dhe ndërkombëtare. Mbeten të paharruar turnetë e tij madhështorë gjatë së cilëve u ka dhënë mundësi njohjeje shumë artistëve të rinj. Albumet e tij janë një himn shprese i një brezi të tërë. Publiku e pa për herë të fundit pak ditë më parë, gjatë koncertit të vitit të ri.

Mallëngjen mesazhi i më i fundit që pati shkruar në faqen e tij personale, nje fotografi bardhezi e një rruge me diciturën: ‘Po kthehem në shtëpi’.

Top Channel