Vjenë, interpretohen pjesë shqiptare në koncertin e Vitit të Ri

01/01/2015 00:00

Kur tingujt e valseve të Shtrausit shpërndahen nga Holli i Koncerteve të Vjenës në 90 vende të botës, kjo do të thotë se një tjetër vit ka kaluar dhe një vit i ri sapo ka trokitur.

Si gjithmonë e mrekullueshme, Filarmonia e Vjenës u ka dhuruar emocione miliona njerëzve në mbarë botën. Ndërsa shqiptarëve, veç emocioneve, u ka dhuruar edhe krenarinë.

Krenarinë e një populli, kultura e të cilit nderohet dhe respektohet në kryeqytetin e muzikës klasike, në zemër të Europës.

Në repertorin e këtij viti, dirigjenti Zubin Mehta dhe orkestra e Filarmonisë së Vjenës kanë përfshirë dhe një kolazh me muzikë tradicionale shqiptare.

Në violinë ishte anëtari i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli dhe i ardhur enkas nga Shqipëria në klarinetë ishte Mjeshtri Hekuran Xhambali, si dhe disa anëtarë të orkestrës filarmonike të Vjenës, pjesë e “Ansamblit Filarmonik” të Shkëlzen Dolit.

Pjesa e zgjedhur gjatë koncertit të orkestrës më të njohur në botë, në momentin më të ndjekur nga rreth 50 milionë njerëz në të gjithë botën, quhej “Albanian Soul” (shpirti shqiptar), dhe gjithçka ishte perfekte, si vetë muzika dhe Filarmonia e Vjenës.

Top Channel