Kënga “Mëngjeset e majit”, në versionin e saj origjinal ka qenë e titulluar “Dëshërim për mëmëdhenë”. Ajo është shkruar në vitin 1901 nga Thoma Avrami, një nga mësuesit e shkollës së parë shqipe, Mësonjëtores së Korçës, dhe gazetar, i cili ka shkruar në periodikë të ndryshëm të kohës, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas historianëve, teksti është gjetur në një nga periodikët patriotikë të fillimit të shekullit të XX, për shqiptarët e Rumanisë dhe Bullgarisë.

“Është interesante ta theksojmë sepse edhe si këngë dhe si tekst, janë e vetmja deri më sot ku gërshetohet dashuria për individin dhe dashuria për atdheun”, thotë Niko Kotherja, drejtor i Muzeut Kombëtar të Arsimit.

Ndonëse zyrtarisht titulli është “Mëngjeset e majit”, shumë vetë këtë këngë e identifikojnë me një titull tjetër, marrë nga vargjet e saj, “Dua më shumë Shqipërinë”.

Për herë të parë, kënga është kënduar dhe regjistruar në vitin 1923 nga Spiridon Ilo, në SHBA. Ilo, sipas dëshmive të kohës, ka qenë firmëtar i pavarësisë, nipi i Marigosë që qëndisi flamurin e ngritur në Vlorë dhe autor i tekstit dhe muzikës së disa këngëve patriotike, mes tyre ajo e titulluar “Eja mblidhuni këtu, këtu!”.

“Me rastin e themelimit të shoqërisë së parë diskografike shqiptare ‘Albanian Phonograph Records’ në Nju Jorkun e vitit 1923, ai e këndon vetë këtë këngë dhe e regjistron në një pllakë gramafoni”, shton më tej Niko Kotherja.

“Mëngjeset e majit”, para se të bëhej e njohur në të gjithë Shqipërinë, është kënduar filimisht nga artistë të ndryshëm korçarë dhe që nga vitet ‘50 prej korit “Lira”. Për Koço Gramenon, njërin prej pjesëtarëve të këtij kori, i cili është dhe nipi i Mihal Gramenos, kjo këngë mbart vlera sa artistike, aq dhe patriotike.

“Është një këngë mes himnit dhe patriotizmit e lirikës, që autorët korçarë me atë shpirtdashurinë dhe estetizmin e tyre të asaj kohe, e kanë kompozuar jo vetëm për Korçën. Unë për vete mbaj mend që e kam kënduar që fëmijë, e si puna ime sot e këndojnë brezat dhe mbarë Shqipëria”, thotë Koço Grameno, pjesëtar i korit “Lira”.

“Mëngjeset e majit”, një këngë e dashur, prej mëse një shekulli vazhdon të këndohet brez pas brezi nga shqiptarët, që duan më shumë Shqipërinë.

Top Channel