Dr. Stephen Jackson është zëvendësdrejtor i kompanisë britanike “QAA”, e cila do të zhvillojë vlerësimin e akreditimit të universiteteve shqiptare. Në një intervistë për Top Channel, Dr. Jackson fillimisht flet për rëndësinë e këtij procesi.
Dr. Stephen Jackson: Agjencia e Sigurimit të Cilësisë vlerëson cilësinë dhe standardet për edukimin e nivelit të lartë në Britaninë e Madhe. Na është kërkuar të sjellim ekspertizën tonë në vlerësimin e procesit të akreditimit në Shqipëri. Metodologjia jonë në këto vlerësime lidhet me të siguruarit, se institucionet arsimore përmbushin standardet për të qenë institucione të arsimit të lartë. Këtë, ne e bazojnë në një mori dokumentesh, të cilat përcaktojnë se cilat duhet të jenë standardet. Ekipet tona kontrollojnë që të tilla standarde përmbushen dhe aplikohen nga të gjitha universitetet. Ministria shqiptare e Arsimit ka kërkuar prej nesh të dorëzojmë raportin e parë, deri në fund të këtij viti akademik.
Por në çfarë vështirësish do të ndeshet ky proces, në një kohë kur zhvillimet ne arsimin shqiptar nuk janë të njëjta me ato ne Britaninë e Madhe?
Dr. Stephen Jackson: Çështja parësore në këtë proces është angazhimi i të gjitha universiteteve në të. Kërkohet bashkëpunim. Deri në këto momente kemi marrë të dhëna pozitive, pasi ka interes në përfshirjen në një proces të tillë. Nga informacionet që unë kam marrë nga “British Council”, Këshilli Britanik në Tiranë, përfshi edhe Ministrinë e Arsimit, për reformën e nisur në arsim, mund të them se është një program ambicioz, por ka shumë punë për t’u bërë. Përmes kësaj tregohet se Shqipëria ka ambicie të bëhet një partner i denjë europian edhe në fushën e arsimit, dhe ne do të ndihmojmë në këtë proces. Këto nuk janë sfida të panjohura, janë po të njëjtat me ato në shumë vende. Prandaj, cilësia në arsim është thelbësore, në mënyrë që publiku të ketë besim në sistemin e arsimin e lartë. Dhe më pas për të ditur se diplomat e marra janë të respektuara dhe të njohura.
Kompania britanike “QAA”, që prej vitit 2013 është shpallur si e para në Europë, nga rrjeti europian i Agjencive për Sigurimin e Cilësisë në arsimin e lartë.
Top Channel