Ura e Zerzebilit, e ndodhur ne Gjirokastër, ka pësuar dëmtime të dukshme në strukturën e saj, duke ngritur shqetësime për ruajtjen e kësaj vlere të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Inxhinieri Vaso Polo tregon për Top Channel se dëmtimet kanë ardhur si pasojë e kalimit të mjeteve me tonazh të rëndë, të cilat kanë ndikuar negativisht në qëndrueshmërinë e urës, e ndërtuar për kushte dhe ngarkesa shumë më të kufizuara.
Ura e Zerzebilit është një objekt me vlera historike dhe arkitekturore, që mendohet të jetë ndërtuar gjatë periudhës osmane. E realizuar me gurë dhe me hark të vetëm, ajo ka shërbyer ndër vite si një pikë e rëndësishme lidhëse për banorët e zonës dhe për tregtarët që përshkonin këtë rrugë. Ndërtimi i saj pasqyron mjeshtërinë tradicionale të kohës dhe është një dëshmi e gjallë e historisë së zonës së Gjirokastër.
Sipas inxhinierit, shumë shpejt pritet ndërhyrja e Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, e cila do të ndërmarrë restaurimin e urës, me qëllim rikthimin e saj në gjendje të qëndrueshme dhe ruajtjen për brezat e ardhshëm.
Top Channel